“Në Europë nuk ka vend për mohimin e genocidit dhe nderimin e kriminelëve të luftës”. Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët të kryediplomatit europian Josep Borrell dhe eurokomisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhely, në 27 vjetorin e genocidit të Srebrenicës, më i rëndi në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. 8 mijë burra e djem myslimanë u vranë nga forcat serbe në Bosnjë, më 1995-ën.
Borrell dhe Varhely ndajnë mendimin se ende edhe sot, “paqja nuk mund të merret e mirëqenë”. Zyrtarët e lartë europianë i referohen agresionit rus në Ukrainë, për të cilin theksojnë se “ka rikthyer një luftë brutale në kontinentin tonë”. “Vrasjet masive dhe krimet e luftës në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftërat në Ballkanin Perëndimor, në vitet ‘90”, – nënvizohet në deklaratën e përbashkët.
Europa nuk e ka harruar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe as përgjegjësinë tonë që nuk ishim në gjendje ta parandalonim e më pas ta ndalonim genocidin. Në Srebrenicë, Europa dështoi dhe ne jemi përballur me turpin tonë!
Përfaqësuesit e BE-së deklaruan se “duan të shohin përparimin e Bosnje-Hercegovinës në tejkalimin e trashëgimive të së kaluarës dhe në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian”.
Udhëheqësit politikë, t’i kthejnë fjalët në vepra: Ata duhet të zgjedhin të vërtetën, drejtësinë e bashkëpunimin, në vend të frikës dhe urrejtjes. Kjo për të kapërcyer trashëgiminë tragjike të së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme e të begatë për brezat e ardhshëm.
Në seancën plenare të 7 korrikut, me asnjë votë kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt-rezolutën për dënimin e genocidit serb në Srebrenicë. Në votim morën pjesë 113 deputetë. Dokumenti i propozuar nga socialistët, u bazua në rezolutat e Parlamentit Europian dhe në vlerësimet e Komisionit Europian mbi genocidin në Srebrenicë, akte që dënojnë mohimin e genocidit dhe nderimin e autorëve e të mbështetësve të tij. Krahas dënimit të mohimit të genocidit në Srebrenicë, gjithashtu rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë synon të dënojë retorikën politike që nxit urrejtjen ndëretnike, duke mohuar genocidin në Srebrenicë e të tjera krime, të kryera në luftërat e ish-Jugosllavisë.