Aktualitet

Mashtrimi me call center, lihen në fuqi masat e sigurisë për 7 të arrestuarit

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sot la në fuqi masat e sigurimit për 7 nga 8 urdhërarrestet për çështjen e një call center-i. Togat e zeza bënë verifikimin e në arrest në burg lanë 4 vetë, si dhe 3 në arrest shtëpie. Ndërkohë, një tjetër vijon të jetë në kërkim.

Në mungesë ishin caktuar masat e sigurimit personal arrest në burg për Emiljano Sejdillarin, Tafil Dyrmishin, Sokol Krasniqin, Eltion Logun, Rodrigo Gugën e në arrest shtëpie për Lisjane Çulanin, Mateo Llozhin e Kejdi Nukën. Personat e përfshirë kryenin mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve gjermanë, duke operuar nga një Call Center i vendosur në Shqipëri.

Hetimet për këtë rast nisën në fund të 2023-shit në Gjermani dhe më pas u transferuan në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Grupi kriminal përdorte metoda të sofistikuara për të mashtruar viktimat, duke u prezantuar fillimisht si oficerë policie ose hetues financiarë, me pretendimin se po hetonin humbje të ndodhura në investime në Forex apo kriptovaluta.

Pasi fitonin besimin e viktimave, anëtarët e grupit i shtynin ata të kryenin pagesa të reja, duke i zhytur edhe më thellë në mashtrime. Sipas të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj qytetarëve gjermanë përllogaritet në rreth 365 mijë euro.

Gjatë operacionit të koduar “Pandora”, autoritetet shqiptare kryen kontrolle në një qendër Call Center, duke bërë të mundur sekuestrimin e provave dokumentare dhe digjitale që vërtetojnë aktivitetin kriminal.