Kylian Mbappé është rikthyer në qendër të vëmendjes vetëm pak ditë përpara nisjes së Kupës së Botës, por këtë herë jo për paraqitjet e tij në fushë.
Ylli i Real Madridit mori leje të posaçme për t’u larguar përkohësisht nga grumbullimi i kombëtares franceze pas ndeshjes miqësore ndaj Irlandës së Veriut, me arsyetimin e angazhimeve personale.
Megjithatë, largimi i tij ka shkaktuar reagime të shumta pasi në rrjetet sociale u publikuan foto dhe raportime që e shfaqnin sulmuesin në Madrid në shoqërinë e aktores së njohur spanjolle, Ester Expósito.
Për muaj me radhë, emrat e Mbappé dhe Expósito janë lidhur me spekulime për një romancë të mundshme. Dyshja është parë së bashku në disa raste në Paris dhe Madrid, ndërsa mediat rozë kanë raportuar se ata kanë kaluar edhe disa ditë pushimi privat në Ibiza para fillimit të turneut më të madh të futbollit.
Këto zhvillime nuk janë pritur mirë nga një pjesë e tifozëve francezë, të cilët kanë shprehur shqetësimin se kapiteni i “Les Bleus” duhet të ishte fokusuar plotësisht te përgatitjet me skuadrën kombëtare.
Megjithatë, trajneri Didier Deschamps e ka miratuar mungesën e shkurtër të sulmuesit dhe nuk ka shfaqur shqetësime për ndikimin që kjo mund të ketë në përgatitjet e ekipit.
Ndërsa Franca synon të luftojë për trofeun e Kupës së Botës, vëmendja ndaj Mbappé vazhdon të jetë po aq e madhe jashtë fushës sa edhe brenda saj, me tifozët që ndjekin çdo lëvizje të superyllit francez.