Aktualitet

Mbi 2 mijë bimë kanabis, arrestohen dy persona në Shkodër

Dy persona janë vënë në pranga dhe një tjetër është proceduar penalisht në Shkodër për kultivim të lëndëve narkotike.

Një 53-vjeçar është kapur në flagrancë në parcelën ku kishte kultivuar bimët narkotike, ndërsa një 52-vjeçar tjetër ka rënë në pranga për ‘moskallëzim krimi.

Policia ka proceduar penalisht edhe kryeplakun e fshatit Vukël dhe ka asgjësuar me anë të djegies 2098 bimë dhe fidanë kanabisi.

 Njoftimi:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Goditen 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël. Kapet në flagrancë në parcelën ku kishte kultivuar bimë narkotike dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Arrestohet në flagrancë edhe një 52-vjeçar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Vukël. Asgjësohen me anë të djegies 2098 bimë dhe fidanë kanabisi.  Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa. Ndërsa, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua në afërsi të parcelës me bimët narkotike.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël. Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.