Aktualitet

Mbledhja për shkarkimin e Veliajt, SPAK: Nuk kemi kërkesë për leje-dalje nga burgu!

Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës ka përcaktuar dhe rendin i ditës për mbledhjen e orës 16:00, ku do të diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt me kërkesë të këshilltarëve të PS-së.

Të premten, Veliaj i dërgoi një letër Këshillit Bashkiak duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli iu përgjigj se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim.

Veliaj replikoi duke i kujtuar se Sekretari nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial, pasi kompetencat e tij janë vetëm administrative.

Sipas tij, deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi.

SPAK ka sqaruar se deri më tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga kryebashkiaku i pezulluar Erion Veliaj apo nga drejtoria e burgjeve, për një leje të veçantë që do t’i mundësonte pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës më 23 shtator.