Fillimisht Komisioni i Ligjeve, ndërsa më 16:00 mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë ku pritet të diskutohet e votohet mbi shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Më herët, Veliaj replikoi nga qelia me sekretarin e Këshillit Bashkiak për praninë e tij në mbledhje, pasi kërkoi të ishte i prezent, por kërkesa nuk u realizua.
Për shkarkimin, këshilltarët socialistë mbështeten në faktin që Veliaj ka të paktën 3 muaj që nuk është paraqitur në detyrë. Nga 10 shkurti ndodhet në paraburgim nën akuzat për korrupsion. Dje, Këshilli Bashkiak i Tiranës iu drejtua me një letër kryebashkiakut Erion Veliaj, një ditë para mbledhjes lidhur me shkarkimin e tij. Letra erdhi pasi Veliaj i kërkoi Këshillit Bashkiak që të dëgjohej para se të merret vendimi.
Këshilli i shkruante se “në rast të pamundësisë për të marrë pjesë në mbledhje, të gjitha pretendimet e tij mund t’i dërgojë me shkrim”.
Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje, thuhej në letrën dërguar Veliajt.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS-së, më 11 shtator, duke u mbështetur në shkeljen e Nenit 62, Gërma C e Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” e që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Lidhur me shkarkimin vendos qeveria.
Por, vendimi i ekzekutivit për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh dhe në këtë rast, vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.