Aktualitet

Berisha pas daljes nga SPAK: Në korridore pashë dengje me narko-euro!

Pas daljes nga SPAK-u, Sali Berisha, tha se institucioni ishte i mbushur me para që sipas tij, vinin nga trafiku i drogës.

Në korridoret e SPAK-ut gjeta dengje të mëdha narko-eurosh. Kishte një dyndje me thasë saqë mezi kalova korridorin. Arka dhe thasë, thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro. Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës, deklaroi Berisha.

Më tej, lideri demokrat lidhi pretendimet me një çështje që ka ngritur më herët, duke deklaruar se prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e disa zyrtarëve të lartë për të cilët shprehet se “kanë udhëtuar me fluturim çarter drejt Arubës”.

Prandaj dhe prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e dy apo tre zyrtarëve të nivelit më të lartë që udhëtuan bashkë me biznesmenët me një çarter të veçantë nga Tirana në Aruba.

Berisha shtoi se në ambientet e SPAK-ut kishte parë edhe gjyqtarë kushtetues, pa dhënë detaje të mëtejshme.