Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar që SPAK t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me një tjetër kërkesë për t’i hequr imunitetin e deputetes Belinda Ballukut, ish ministres dhe ish zëvendës kryeministres e pandehur zyrtarisht për shkelje të barazisë në tendera dhe e dyshuar po ashtu për korrupsion dhe pastrim parash.
Në një tjetër reagim në lidhje me raportin e KE mbi shtetin ligjor, Bardhi citon pjesë nga dokumenti në të cilin ngrihet shqetësimi për mbrojtjen që iu bë ish zëvendës kryeministres nga maxhoranca socialiste, e cila me votat e saj, refuzoi t’ia dorëzonte drejtësisë.
Bardhi thekson se SPAK duhet të adresojë shqetësimin e ngritur nga Brukseli dhe të veprojë menjëherë me një tjetër kërkesë në Kuvend.
“SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, thotë ai.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Komisioni Europian, në raportin e publikuar dje, shprehet qartë se: “Refuzimi nga Parlamenti për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit. Në mars të vitit 2026, Parlamenti rrëzoi një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një deputeteje të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.”
Por, ndërsa Komisioni Europian shpreh shqetësim për moslejimin e arrestimit, duke nënvizuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët po bëhen pjesë e çimentimit të pandëshkueshmërisë në këtë rast.
SPAK-u, prej disa javësh, po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK-u ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit.
SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.