Sport

Mbyllet java e 26-të e “Superiores”, befasoi Skënderbeu që mundi Egnatian kryesuese

Teuta – Tirana dhe Skënderbeu – Egnatia ulën siparin e javës së 26-të të kampionatit “Abissnet Superiore”.

Kampionët në fuqi të Egnatias u mposhtën në Korçë nga Skënderbeu me rezultatin minimal 1-0.

Tekniku i Skënderbeut, Ernest Gjoka u shpreh i lumtur pas fitores: 

“Mendoj që ishte fitore e merituar, futbollistët dhanë gjithçka, kjo është ajo që po kërkojmë, sigurisht nuk është e lehtë duke pasur parasysh renditjen. Sot bëmë një ndeshje të mirë, perfekte dhe nuk di të kemi bërë ndonjë gabim. Detyrohesh ndonjëherë të gabosh dhe të jesh në presion për rezultatin, por të detyron kundërshtari. Por ne arritëm të menaxhonim shumë mirë edhe 10 minutat e fundit.

Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova,  i zhgënjyer pas humbjes: 

“Një ditë shumë e errët për ne, nuk bëmë asgjë, ishte ndeshja më e dobët e sezonit. Mendoj që ishte një ndeshje e dobët. Ishim më shumë në fushën e kundërshtarit, por pa vepruar në portën e tyre. Ka justifikim sepse lojtarët vijnë nga gjendja gripale, por kam edhe rezerva.

Ndeshja Teuta – Tirana në “Niko Dovana” u mbyll me fitoren e durrsakëve 2-1.

Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi analizoi humbjen:

“Shumë e vështirë të shënonim, peng kam pësimin e golit të parë pasi ishte e disata herë që ne pësojmë nga goditjet standarte. Në ato minuta edhe lojtarët duhet të marrin përgjegjësi ia thashë djemve edhe në pushim.  Të gjithë e pamë që ishte e vështirë të shënonim. Kishte aq shumë situata dhe momente në këtë sfidë dhe futbollistët nuk kishin faj.

LEXO EDHE: Lara Kolturi vazhdon të shkëlqejë në Kupën e Botës, skiatorja që përfaqëson Shqipërinë renditet e 6-a në etapën e radhës

Të shtunën u luajtën tre ndeshjet e tjera të javës së 26-të.

Dinamo City u rikthye te fitorja, pasi triumfoi ndaj Laçit në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-0.

Bylis arriti të triumfonte me përmbysje në “Arenën e Demave” ndaj Partizanit, duke fituar 3-2.

Takimi Vllaznia – AF Elbasani në “Loro Boriçi” u mbyll në barazim 1-1.

Rezultatet e javës së 26-të të Superiores:

Dinamo City –  Laçi 2-0

Partizani – Bylis 2-3

Vllaznia – AF Elbasani 1-1

Skënderbeu – Egnatia 1-0

Teuta – Tirana 2-1