Sport

MekLaren në krizë, nga dominimi te pasiguria!

Në “paddock”-un e Formula 1 vazhdojnë të thonë, edhe pse duket e pabesueshme, se FIA nuk i ka ndaluar MekLarenit ndonjë pajisje apo sistem që ta ketë bërë makinën “të paperceptueshme dhe të paparashikueshme”, siç e cilësoi vetë Lando Norris pas kualifikueseve të së shtunës në Ostin.

Diçka e ngjashme ndodhi me Red Bullin pas Japonisë 2024, kur skuadra pësoi një rënie që nuk e kaloi për gati një muaj e gjysmë. E vërteta është që MekLareni ka kaluar nga një makinë që dukej se “rrëshqiste në shina” në çdo kthesë dhe “përpinte” bordurat pa problem, në një makinë që aktualisht duket më e dobët se Red Bulli dhe që shihet në betejë të ngushtë me Mercedesin.

Por çfarë ka ndryshuar? Kjo është pyetja e madhe. MekLareni është kthyer në një makinë të paqëndrueshme, sidomos në seancat e së shtunës, ku as Norris dhe as Piastri nuk ndihen më rehat. Tashmë kanë vështirësi ta mbajnë makinën në pistë. Mund të jetë çështje pezullimesh ose rregullimesh teknike të tjera. Ajo që dihet është se në Woking kanë vendosur të mos investojnë më në makinën e vitit 2025, për të fokusuar burimet në projektin e 2026-ës. Një vendim logjik në kohën kur dukeshin të sigurt për të fituar të dy kampionatet, të konstruktorëve dhe të pilotëve. Titullin e konstruktorëve e kanë siguruar, por ai i pilotëve mund t’u rrëshqasë pikërisht në fund.

Te Red Bulli, pas largimit të Hornerit dhe ardhjes së Mekies, Vershtapen arriti t’i bindë drejtuesit që të shkonin edhe një hap më tej me zhvillimin e njëvendëshes “RB21”. U shtua një përmirësim në dyshemenë që i dha më shumë stabilitet makinës, jo vetëm Maksit, por edhe Tsunodës që ndodhej në fund të grilës. Përveç kësaj, një krah aerodinamik që e kalon testimin e FIA-s, edhe pse në pamjet televizive duket se lëviz në vijat e drejta, mund të ketë sjellë atë epërsi shtesë që tani MekLareni nuk e ka më. Edhe pse nuk dominon si më parë, Vershtapeni mbetet favorit në çdo lloj piste: ka fituar në Monza, Singapor dhe Ostin (dy herë), ndërsa në Baku u rendit i dyti, përpara Norrisit dhe Piastrit. Katër fundjava të shkëlqyera për ecurinë e tij në kampionat.

Një pyetje që iu drejtua drejtuesit të skuadrës, Andrea Stela, pas garës në Teksas ishte nëse do të përqendrohen te një pilot i vetëm për garat e fundit. Por përgjigjja ishte e qartë: jo tani. Piastri është vetëm 14 pikë përpara Norrisit dhe do të ishte çmenduri të merrnin një vendim të tillë tani. Një gabim i vetëm në nisje, siç u pa në Sprintin e Ostinit, mund të prishë gjithçka. “Kur Maks ka potencial për të fituar, bëhet menjëherë një kundërshtar serioz”, tha Stela. “Por kjo nuk e ndryshon situatën tonë, nuk ndryshon çfarë bëjmë. Duhet të vazhdojmë të japim maksimumin dhe të kemi fundjava të mira”, shtoi drejtuesi italian i MekLarenit.

Stela ruan qetësinë dhe besimin: “Janë pesë gara dhe dy Sprinte, kemi ende shumë mundësi për të zgjeruar diferencën ndaj Vershtapenit. Unë e shoh kështu. Tani vijnë pista që i përshtaten makinës sonë. Kemi ende shumë për të eksploruar, dhe deri diku, vetë pilotët e pranojnë që mund të kishin bërë më mirë në disa gara”, shton ai. Vendimi se kush do të ketë mbështetjen e skuadrës do të merret vetëm në bazë të matematikës. “Nuk e mbyllim derën për askënd, përveç nëse matematika e përjashton njërin prej tyre. Kemi një mundësi të madhe përpara. Fati i këtij sezoni dhe i titullit të pilotëve është në duart tona, jo në të askujt tjetër. Kjo është mënyra e të menduarit që kemi dhe do të mbajmë deri në fund”, përfundon Andrea Stela.