Aktualitet Bota

Meloni siguron mbështetje të kushtëzuar nga BE-ja për qendrat e azilit në Shqipëri!

Plani për të mbajtur emigrantët jashtë territorit italian gjatë shqyrtimit të kërkesave ka hasur disa pengesa ligjore

Skema e debatueshme e kryeministres italiane Giorgia Meloni, për ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri mund të jetë në përputhje me ligjin e BE-së, vetëm nëse ata përfitojnë të njëjtat mbrojtje që do të kishin në territorin italian, tha një këshilltar i gjykatës më të lartë të bllokut.

Opinioni ligjor i Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, i cili nuk është detyrues, i jep Romës një hapësirë ligjore të kushtëzuar në një çështje të ndjekur nga afër mbi qasjen e ardhshme të BE-së ndaj kufijve të saj.

Një deklaratë e lëshuar të enjten nga GJED, ku detajohej opinioni i Laila Medinës përpara vendimit përfundimtar, thonte:

Shtetet anëtare mbeten të lira të vendosin qendra ndalimi në territorin shqiptar, por të drejtat e të ndaluarve duhet të garantohen në një nivel të barabartë me atë që zbatohet në territorin kombëtar.

Edhe pse zhvendosja e qendrave në Shqipëri nuk është automatikisht e paligjshme, paralajmëroi se kuadri aktual ligjor nuk “duket se përmban rregulla të qarta dhe të sakta” që sigurojnë se azilkërkuesit mund të mbrohen, të mbajnë kontakte me familjarët e të lirohen sapo të përfundojë afati i ndalimit.

Çështja është ndjekur nga afër nga shtete të tjera anëtare të BE-së, që po shqyrtojnë krijimin e skemave të ngjashme në vende të treta.

Vendimi përfundimtar pritet të përcaktojë kuadrin ligjor se si qendra të tilla ndalimi, jashtë territorit të BE-së, mund të bëhen pjesë qendrore e politikës së emigracionit të Unionit.

Opinionet e Avokatit të Përgjithshëm të GJED-së nuk janë detyruese, por shpesh tregojnë drejtimin e mundshëm të vendimit përfundimtar.

Në nëntor 2023, Meloni njoftoi se kishte arritur marrëveshje me kryeministrin shqiptar Edi Rama për ngritjen e dy qendrave të ndalimit për azilkërkuesit e shpëtuar në Mesdhe, ndërsa kërkesat e tyre shqyrtoheshin.

Teksa bëri fushatë me premtimin për të frenuar emigracionin e parregullt drejt Italisë, Meloni argumentoi se mbajtja e azilkërkuesve në Shqipëri do të kishte efekt të fortë parandalues, duke dekurajuar emigrantët e tjerë që të përpiqeshin të shkonin në Itali.

Sipas planit fillestar, emigrantëve të cilëve u pranohej kërkesa për azil do t’u jepej strehim në Itali, ndërsa ata që refuzoheshin do të kalonin me procedurë të përshpejtuar për kthim në vendet e tyre, ose diku tjetër.

Përpjekjet e qeverisë Meloni për të përdorur qendrat në Shqipëri kanë hasur rezistencë nga gjyqtarët italianë të emigracionit. Ata vendosën se emigrantët kishin të drejtë të silleshin në Itali, ku mund të qëndronin në “qendra të hapura” ose në banesa private e jo në qendrat e ndalimit në Shqipëri, të ngjashme me burgjet, gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre./Financial Times-Monitor