Gjykata Speciale në Hagë pritet të publikojë sot, 16 korrik, vendimin lidhur me mocionin e paraqitur nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të akt-akuzës për krime të pretenduara lufte.
Siç shkruajnë mediat në Kosovë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kishin afat deri më 12 qershor për të dorëzuar mocionet e tyre, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar duhej të jepte një përgjigje deri më 7 korrik.
Ky vendim pritet të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi rrjedhën e mëtejshme të procesit gjyqësor, i cili ka nisur më 3 prill 2023, tre vite pas konfirmimit të akt-akuzës.
Mbrojtja e të akuzuarve është shprehur optimiste për një rezultat pozitiv në këtë fazë të procesit.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.
Ndërkohë, Gjykata Speciale vijon të përballet me kritika për mungesë transparence dhe kufizim të qasjes publike në proces, ndërsa shqetësime për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë ka ngritur edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj.