Bota

Mes kritikave për qëndrimin ndaj Ukrainës, Zvicra mes drejtimin e KS të OKB-së!

Sot për herë të parë, Zvicra mori kryesimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB.  Në këtë rol të ri, shteti zviceran po synon të përmbushë reputacionin e tij si një ndërmjetës dhe ndërtues urash. Kjo u bë e ditur nga ambasadori i Kombeve të Bashkuara, Pascale Baeriswyl.

Por duhet theksuar se reputacioni i Zvicrës si vend tradicionalisht neutral është dëmtuar disi që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia e që vijon prej 24 shkurtit të vitit të kaluar. Për agjencinë e lajmeve, DPA, eksperti politik, Christoph Frei nga Universiteti zviceran i St Gallen u shpreh:

Në qarqet politiko-diplomatike, politika e jashtme zvicerane e 18 muajve të fundit të jep arsye për ta tundur kokën.

Sipas tij, arsyet përfshijnë hezitimin në fillim për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimin e vazhdueshëm për t’i ndaluar aleatët të transportojnë municione zvicerane në Ukrainë, pavarësisht politikave neutrale të Zvicrës.

Po ashtu, vendi ka refuzuar një ftesë nga shtatë shtetet më të industrializuara të njohura si G7, për t’u bashkuar në një grup pune e për të gjurmuar fondet e mbështetësve të presidentit rus, Vladimir Putin. Frei shtoi:

Ne jemi në rrugën drejt humbjes së miqve.

Raportimet kritike ndaj shtetit janë shtuar, referuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës. Por, sipas këtij dikasteri, deri tani nuk ka tregues “për një përkeqësim të konsiderueshëm në perceptimin e përgjithshëm e që do të kishte pasoja negative të qëndrueshme”.

Për shkak të kritikave ndaj Zvicrës, Frei thotë se ka marrë mesazhe armiqësore. Ai bën të ditur se gjatë javëve të fundit i shkuan letra me përmbajtje të tilla si: “Ti je tradhtar i vendit, luftënxitës, gomar!”.

Presidenca e Këshillit të Sigurimit e OKB-së ndërron sipas një radhe të paracaktuar çdo muaj. Para Zvicrës, presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte Rusia, çka gjithashtu kishte nxitur kritika të shumta.