I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë moderatori dhe gazetari i mirënjohur Alban Dudushi. Në këtë intervistë ekskluzive, ai foli rreth periudhës së tij 20 vjeçare në televizion për projektet e suksesshme të realizuara në Top Media dhe rrugëtimit të tij të ri.
Pak ditë më parë në emisionin “Piramida” u luajt një quizz ku konkurrentët duhet të jepnin përgjigjen e saktë për pyetjen, e cila ishte “kush është moderatori me më shumë orë transmetimi në Top Channel?”. E sigurisht që ai do të ishte Albani, i cili që prej vitit 2001 iu bashkua stafit themelues të televizionit Top Channel, televizioni më i madh kombëtar në vend. Për pothuaj 20 vjet realizoi në këtë televizion një seri programesh, ku më jetëgjati ishte Top Show dhe më pas Top Show Magazine, për pothuaj 17 vjet.
I pyetur nëse ishte në dijeni, ai u përgjigj:
Nuk e dija. Ma thanë se isha në transmetim. Nuk e di sesa orë mund të bëhen, por logjike është duke menduar që në 2004 ka qenë pesë ditë në javë. I pari fare ka qenë më 31 Dhjetor. Ishte binjak, ishte Top Show dhe Portokalli. Top Show ishte platforma, Portokalli ishte përmbajtja. 20 vjet përpara i bie. 31 Dhjetor 2003.
Si ndihet ai për këtë sukses të arritur dhe për kohën e tij të investuar në ekranin e Top Channel?
Nuk jam tip nostalgjik që të zhytem nëpër nostalgjira. Natyrisht kjo është një punë që mua më vjen mirë që është bërë dhe paska disa rekorde që unë sinqerisht nuk e dija dhe s’më kishte vajtur mendja ndonjëherë të bëj një llogari se kush është moderatori me më shumë orë televizive. Kur e mendoj tani, kur kam filluar në Top Channel mosha mesatare ka qenë 3o vjeç. Ishte një entuziazëm i jashtëzakonshëm kur nisi në fillim si çdo projekt i ri, i cili fatmirësisht e mori shumë shpejt suksesin.