Aktualitet

Moti i keq në Vaun e Dejës, kryebashkiaku Shkreli: Përmbytje në të gjitha njësitë administrative!

Moti i keq, situata në Vaun e Dejës përshkruhet si “shumë e rëndë” nga kryetari i bashkisë, Kristian Shkreli. Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në të gjitha njësitë administrative. Në një deklaratë për mediat, Shkreli bëri të ditur se 100 shtëpi kanë prani uji, ndërsa dëmet më të mëdha janë në bagëti, shpendë e në kosheret e bletëve.

Situata është mjaft e rëndë. Përmbytjet kanë filluar në të gjitha njësitë administrative. Përroi i Glinës ka dalë nga shtrati e po bën përmbytje në të gjithë qytetin e Vaut të Dejës. 100 shtëpi kanë prezencë uji. Dëmet janë shumë të mëdha në bagëti, shpendë dhe kosheret e bletëve, por shpresojmë mos të rrezikohen jetë njerëzish se situata është shumë e rëndë.

Teksa vuri në dukje se problemi më i madh paraqitet nga përroi i Glinës, kryebashkiaku apeloi se nevojiten kosha me gurë, prita malore e asfaltim i rrugëve.

I gjithë stafi i Bashkisë së Vaut të Dejës është në terren e përkrah njerëzve dhe besoj që çdo gjë do të shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi evakuim.

Për përroin e Glinës ka 5 vite që aplikojmë dhe nuk e kemi fituar. Nuk di arsyen përse, por shumë problem i madh, se me fondet e bashkisë është i pamundur realizimi i këtij projekti.

Kemi nevojë për kosha me gurë, prita malore e asfaltim të rrugëve për të forcuar si tip dige për të mos e lënë që të thyhet, se po ta shohim ka thyer rrugën dhe ka hyrë në banesa uji.