Aktualitet

Moti i keq me stuhi që përfshiu vendin, 1 viktimë dhe 3 të plagosur!

Moti i keq i orëve të natës shkakton një viktimë dhe tre të plagosur. Në Himarë humbi jetën një punonjës i OSHEE-së, i angazhuar në riparimin e një defekti nga stuhia, për rikthimin e energjisë elektrike në zonë. Elektriçisti Bashkim Boçi gjeti vdekjen duke punuar, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Dyshohet se 54 vjeçari u rrëzua nga një shtyllë elektrike.

Moti i keq me erëra të stuhishme dhe reshje shiu, shkaktoi probleme në disa qytete të jugut. Në Sarandë, tre persona u plagosën nga thyerja e xhamave ndërsa një pemë e rrëzuar dëmtoi tre automjete, në rrugën përballë stadiumit. Sa iu përket të lënduarve, pas ndihmës të marrë në spital, u larguan për në banesat e tyre.

Në Lungomare të Vlorës, era ngriti re të dendura rëre përgjatë shëtitores, duke e bërë pothuajse të pamundur qarkullimin e këmbësorëve. Po ashtu, u raportuan dëme në disa biznese, si edhe zhvendosje të çadrave dhe orendive.

Edhe Gjirokastra u përfshi nga erëra të forta, të shoqëruara me reshje shiu, të cilat krijuan vështirësi të përkohshme në disa zona të qytetit. Në Himarë, qielli u ndriçua nga rrufe të shumta, duke krijuar një spektakël natyror gjatë natës.

Sa i përket parashikimit të motit për sot, fillimisht, vendi ynë ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme, duke sjellë vranësira e reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, sidomos në zonat veriore dhe qendrore.

Në disa rajone priten edhe shtrëngata, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër. Gjatë pjesës së dytë të ditës, vranësirat vijnë gradualisht në pakësim, ndërsa reshjet kufizohen vetëm përgjatë zonave malore.

Era fryn me drejtim veriperëndim-verilindje, me shpejtësi deri në 15 m/s, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 4 ballë.