Rajoni

Moti i keq vazhdon të bëjë “kërdinë” në Greqi/Pamje dramatike!

Në Greqi shkon në katër numri i viktimave si pasojë e stuhisë Daniel. Një 49-vjeçar nga Petrotos sot u gjet i pajetë dhe siç raportojnë mediat greke ishte i mbuluar nga materialet që uji mori me vete. Mëngjesin e djeshëm kishte dalë nga shtëpia për t’u kujdesur për kafshët që mbante, por për fat të keq nuk mundi t’i mbijetonte vërshimit të një përroi, si rezultat i shirave të dendur.

Vendi fqinj është gjunjëzuar nga moti i keq. Për të tretën ditë, Greqia vazhdon që të përballet me pasojat e tij nga stuhia Daniel e që ka shkaktuar dëme katastrofike, sidomos në Magnezi, si dhe më gjerësisht në Thesali. Linjat e trenave mes Athinës e Selanikut u detyruan të ndaleshin. Sot iu bë thirrje banorëve të Palamasit të largohen nga pjesët nëntokësore e përdhese të ndërtesave për shkak të përmbytjeve. Këtë të enjte, pritet dobësim i reshjeve në një pjesë të madhe të Greqisë, sipas parashikimeve të meteorologëve.

Shumë banorë u evakuan nga banesat, por jo të gjithë ia dolën të largohen në kohë për t’iu shpëtuar përmbytjeve. Në një video e xhiruar në fshatin Metamorfosi, shihet një nënë që tenton të shpëtojë fëmijën e saj duke përdorur një kamerdare. Pamjet janë dramatike, aty duket gruaja të cilës uji i arrin deri në qafë.

https://twitter.com/AlexandrosNgu7/status/1699680355115057329?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1699680355115057329%7Ctwgr%5E8e497e7ae9e64f591a1e8bd790ff838f4bf8dd00%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=h

Përmbytjet kanë bërë që niveli i ujit të jetë në lartësinë mbi një metër dhe kjo gjë ka krijuar vështirësi në përpjekjen e zjarrfikësve për të shpëtuar të bllokuarit.

Mësohet se për momentin, mjetet e vetme me të cilat kryhet operacioni i shpëtimit janë gomat e zjarrfikësve të përdorura nga gjashtë ekipe të EMAK-ut, ndërsa në zonë u transportuan edhe pesë gomone të ushtrisë.

Sipas informacioneve që vijnë nga terreni, uji ka mbuluar gjithçka në të gjitha fshatrat në Palamasi, Metamorfosi, Vlohos, Petrino, Itea, Kalyvakia, Psathochori.