Bota

“Mrekulli që jam gjallë, por po vuaj”, flet i vetmi i mbijetuar i tragjedisë së Air India-s!

I mbijetuari i vetëm nga rrëzimi i avionit të Air India-s që la të vdekur 241 persona në qershor e ka përshkruar jetën e tij që nga tragjedia, si një luftë të vazhdueshme dhimbjeje dhe pikëllimi.

39-vjeçari Vishwaskumar Ramesh arriti të dilte i gjallë nga rrënojat e Boeing 787 që po fluturonte për në Londër nga aeroporti i Ahmedabadit në Indinë perëndimore. Imazhet që bënë xhiron e botës në atë kohë e treguan atë duke u larguar nga vendi i rrëzimit, pothuajse i padëmtuar, ndërsa tymi i dendur ngrihej në ajër pas tij.

Duke folur për BBC-në, Ramesh u shpreh:

Unë jam i vetmi i mbijetuar. Ende nuk mund ta besoj, është një mrekulli.

Por, siç shtoi, kjo mrekulli u shoqërua me një humbje të papërshkrueshme.

Humba vëllanë tim. Ai ishte forca ime, personi që më mbështeti gjatë gjithë këtyre viteve. Po vuaj fizikisht dhe mendërisht. Kam dhimbje në këmbë, shpatull, gju e shpinë. Nuk po flas me askënd, madje as me gruan dhe djalin tim. Dua vetëm të jem vetëm.

Sipas BBC-së, Ramesh vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe nuk ka marrë kujdes mjekësor që nga kthimi në Britaninë e Madhe.

Air India i ofroi 39-vjeçarit një kompensim të përkohshëm prej 21,500 paundësh, shumë që u pranua, por avokatët thonë se nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat më urgjente që ka. Sipas raportit paraprak të Degës Indiane të Hetimit të Aksidenteve Ajrore, furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre disa sekonda pas ngritjes.

Hetimi për shkakun e rrëzimit është duke vazhduar dhe Air India siguroi se “kujdesi për Rameshin e të gjitha familjet e prekura, mbetet një përparësi absolute”.

Nga 241 viktimat, 169 ishin shtetas indianë, 52 britanikë dhe 19 persona humbën jetën teksa qëndronin në tokë.