Të paktën 20 objekte ushtarake të përdorura nga Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar nga sulmet iraniane që prej nisjes së konfliktit aktual, raporton BBC duke u bazuar në imazhe satelitore dhe video të verifikuara.
Sipas medias britanike, shkalla e operacioneve të Teheranit duket më e madhe sesa është pranuar publikisht deri më tani. Objektivat e goditura përfshijnë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë dhe avionë furnizimi me karburant, ndërsa dëme janë raportuar në baza ushtarake në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe vende të tjera të rajonit.
BBC thekson se gjatë rreth tre muajve të fundit Irani ka shënjestruar objekte të lidhura me SHBA-në në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Gjirit Persik. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes ka refuzuar të komentojë gjetjet e raportit për arsye sigurie operacionale.