Bota Botë e Çuditshme

Mrekullia e mrekullive në Venezuelë!

Nje histori e jashtëzakonshme shpëtimi pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën vjen nga qyteti bregdetar i La Guairas, ku një familje me katër anëtarë, (nëna dhe tre fëmijët, mes tyre një bebe) është nxjerrë e gjallë nga rrënojat, pasi kishte qëndruar e bllokuar për plot 12 ditë nën një ndërtesë të shembur. Pjesa më e jashtëzakonshme e ngjarjes që është cilësuar si mrekullia e dekadës, është se nëna arriti t’i mbante gjallë duke i ushqyer me qumësht gjiri.

Lajmi ka sjellë një rreze shprese në mes të një prej katastrofave natyrore më të rënda që ka përjetuar vendi në dekadat e fundit.

Pamjet e operacionit të shpëtimit, të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë momentin prekës kur ekipet e emergjencës dhe vullnetarët festojnë ndërsa të mbijetuarit, të lodhur por të vetëdijshëm, nxirren me kujdes nga rrënojat. Sipas raportimeve, familja arriti të mbijetojë falë një hapësire të vogël ajri të krijuar mes betonit të shembur, e njohur nga ekspertët si “xhepi i mbijetesës”.

Specialistët e fatkeqësive natyrore theksojnë se 72 orët e para pas një tërmeti konsiderohen vendimtare për gjetjen e të mbijetuarve. Pas kësaj periudhe, shanset për mbijetesë bien ndjeshëm për shkak të mungesës së ujit, oksigjenit dhe dëmtimeve të rënda. Megjithatë, raste të rralla si ky dëshmojnë se mrekullitë mund të ndodhin kur të bllokuarit mbrohen nga rrënojat dhe kanë qasje minimale në ajër apo ujë.

Tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën më 24 qershor kanë shkaktuar mijëra viktima, dhjetëra mijëra të plagosur dhe të zhvendosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende në zonat më të prekura. Autoritetet dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se situata mbetet kritike, por çdo shpëtim i suksesshëm u jep forcë ekipeve të emergjencës dhe familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre.

Historia e kësaj familjeje është kthyer në simbol të shpresës dhe qëndresës për popullin venezuelian.