Sport

Brazili kërkon revolucion pas turpit në Botëror, gjithçka nis nga… Ancelotti!

Zhgënjimi ka pushtuar kombëtaren braziliane dhe gjithë Brazilin pas eliminimit të dhimbshëm nga Kupa e Botës. Në vendin ku futbolli përjetohet si një fe, disfata ka lënë një boshllëk të madh dhe atmosfera rreth “Seleçaos” mbetet e rënduar.

Pamja e kthimit të delegacionit brazilian pas Botërorit ishte simbolike: avioni i skuadrës u kthye me vetëm Danilon brenda, një pasqyrë e zhgënjimit të madh që ka përfshirë ekipin pas dështimit në turne.

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) e di se duhet të reagojë shpejt për të ndryshuar situatën, por hapi i parë ka qenë konfirmimi i besimit të plotë te trajneri Carlo Ancelotti.

Tekniku italian, i cili ka rinovuar kontratën me Brazilin dhe do të jetë në drejtim deri pas Kupës së Botës 2030, konsiderohet nga drejtuesit e federatës si njeriu i duhur për të udhëhequr ndryshimin.

Sipas CBF-së, objektivi kryesor është rikthimi i normalitetit te kombëtarja: më pak presion, më shumë fokus te futbolli dhe largimi i vëmendjes nga aspektet jashtë fushës që kanë dominuar vitet e fundit.

Besim i plotë te trajneri – Ancelotti e pranon se paraqitja në Botëror ishte zhgënjyese, por beson se Brazili ka një bazë të fortë dhe potencial për të arritur shumë më tepër në të ardhmen.

Mbështetja ndaj tij është e plotë si nga drejtuesit e federatës, ashtu edhe nga lojtarët e skuadrës, të cilët besojnë se italiani është trajneri i duhur për të rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror.

Shqetësimi kryesor i CBF-së nuk lidhet aq me tifozët, të cilët në pjesën më të madhe kanë dalë në mbështetje të Ancelottit, por me disa kritika të ardhura nga ish-futbollistë të njohur.

Megjithatë, shumica e zërave brenda futbollit brazilian besojnë se projekti i nisur një vit më parë duhet të vazhdojë dhe se Ancelotti duhet të jetë ai që do të udhëheqë ndryshimin.

Një moment që tregon marrëdhënien mes trajnerit dhe lojtarëve ishte reagimi i tij pas humbjes ndaj Norvegjisë, kur Ancelotti u afrua dhe ngriti një nga një të gjithë futbollistët. Për federatën braziliane, ky është një simbol i bashkimit mes stafit teknik dhe ekipit.

Fundi i epokës Neymar – Një tjetër ndryshim që pritet të ndikojë te Brazili është largimi gradual i Neymarit nga qendra e vëmendjes.

Në CBF besojnë se përfundimi i ciklit të tij do të ndihmojë kombëtaren të rikthejë ekuilibrin, pasi sulmuesi për vite me radhë ka qenë një figurë që ka sjellë shumë presion mediatik.

Megjithatë, gjatë grumbullimit të fundit, Neymar ka pasur një sjellje shembullore dhe ka marrë mbështetje nga tifozët dhe gazetarët.

Tashmë, debati për të duket se ka përfunduar. Brazili kërkon të nisë një kapitull të ri dhe beson se Carlo Ancelotti është njeriu që mund ta udhëheqë këtë transformim.