Lancio Music Showbiz

Mr.X zbulon detaje nga kënga e fundit dhe jo vetëm: Së shpejti tre projekte të reja muzikore…

Mr.X është rikthyer me një projekt të ri në “The Top List”. Ai ka sjellë “Bisha”, një bashkëpunim me El Miro, që po bëhet një hit i momentit. Mr. X ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike në “Lancio” në Top Albania Radio, ku ka folur më shumë për karrierën e tij artistike, projektet e fundit muzikore, por jo vetëm…

Cili ka qenë momenti në karrierën tënde që të ka bërë të kuptosh se tani je një artist i konsoliduar?

Momenti që më ka bërë krenar ka qenë bashkëpunimi i parë që kam bërë me Stinen. Me Stinen kam bërë dy bashkëpunime dhe jam shumë krenar për këtë gjë, sepse me të e kam pasur ëndërr ta takoj dhe jo më të realizoja një projekt. Ky ka qenë momenti më i bukur. Pastaj kam bërë koncerte dhe festivale, në Athinë dhe gjithandej, kur kam pasur mundësi.

A mendon se artistët e hip-hopit sot po flasin më shumë për jetën që bëjnë apo jetën që duan të bëjnë?

Unë mendoj se për jetën që duan të bëjnë. Repi është që të tregosh për jetën tënde, si e ke realizuar, se si do ta vazhdosh jetën tënde. Unë jam në reper, e kam nisur që i vogël, në fillim kam bërë shkollën për break-dance dhe më pas i jam futur këngës. Ka qenë ëndrra ime që kur kam qenë i vogël.

Për çfarë shkruan zakonisht në projektet e tua?

Shumicën e teksteve i kam shkruar vetë, por këngët e dashurisë nuk është se i dedikohen dikujt, thjesht jam bazuar diku. Bazohem tek historitë që dikur më ka treguar dikush.

Çfarë mendimi ke për artistët e rinj që hyjnë në hip-hop?

Ka shumë artistë të rinj që kanë talent, por problemi është tek menaxhimi. Menaxherët duhet të shikojë dhe artistët e tjerë që kanë talent dhe duan të çajnë tregun muzikor, por nuk munden.

Do të doje të ishe pjesë e “Big Brother VIP”?

Do të doja ta provoja. E kam menduar shumë herë, po të më vijë shansi do ta provoja patjetër. Do doja të shikoja vetë karakterin tim brenda në “Big Brother VIP”.

Si lindi bashkëpunimi me El Miro, “Bisha”?

Është projekti i tretë që kam bërë bashkëpunim me El Miro. Është një djalë me talent, jemi njohur nëpërmjet Instagramit. Gjithmonë kur vija në Selanik i thoja “ku je o bishe”. Kur kalon ndonjë vajzë i thua “o bishë”. Iu futëm kësaj teme dhe u realizua.

Çfarë do të sjellësh së shpejti?

Pas kësaj do të sjell një këngë greqisht-shqip me një reper shumë të dëgjuar në Greqi. Besoj se do ta kem nga tetori. Më pas do të jetë një projekt komercial shumë i bukur, po në bashkëpunim me El Miro dhe një djalë tjetër që nuk po e deklaroj tani. Do të jenë dy bashkëpunime dhe një solo, deri në dhjetor do kem tre projekte të reja.