Një seancë gjyqësore kundër tre të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator të vitit 2023, u shty për të hënën për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.
Gjyqtari Arben Hoti njoftoi se “mungon dëshmitari A2, i cili duhej të dëgjohej sot”, ndaj e shtyu seancën për më 21 korrik, siç raporton Betimi për Drejtësi.
Konstatoj se për shkak të mungesës së dëshmitarit nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.
Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar për prokurorinë që nga fillimi i rastit “Banjska”, më 17 prill. Ata dëshmuan si u përballën me një grup serbësh të armatosur kur u sulmuan natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë kolegu i tyre, rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në Gjykatën Themelore për këtë rast janë duke u gjykuar Vladimir Toliç, Bllagoje Spasojeviç e Dushan Maksimoviç, tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë. Ata i mohuan akuzat para gjykatës dhe pretenduan se nuk kishin qëllim vrasjen e askujt e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, siç thekson aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar. Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kërkuan gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Ndërkaq, 42 të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiç akuzohet edhe për lehtësim e financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për pastrim të parave. Në muajin prill, Gjykata theksoi se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit në Kosovë të të dyshuarve.
Më herët, prokurori Naim Abazi pati deklaruar se të akuzuarit patën role të ndryshme brenda grupit kriminal, nisur që “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri te financimi e pastrimi i parave”.