Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot vijon gjykimi ndaj tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” ku në shtator të vitit 2023 mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Kjo është seanca e dytë. Në të parën, të mbajtur në muajin prill për rastin e sulmit në fshatin me të njëjtin emër në veri të Kosovës, Vladimir Toliç, Bllagoje Spasojeviç e Dushan Maksimoviç u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.
Gjatë asaj seance, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koçi, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit e arrestuar pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës e vrau Bunjakun. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar. Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim e financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për pastrim parash.
Gjykata theksoi në muajin prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit në Kosovë.
Pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, në seancën e parë në prill, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i planifikuar dhe se grupi ka qenë “i mirëorganizuar”.
Gjatë prezantimit të videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi vuri në dukje se nga goditjet me armë zjarri mbetën të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone. Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.