Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarrest ndaj Milan Radoiçiçit e 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Sipas dokumentit që mban datën 15 prill e të publikuar nga Reporteri.net, Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve u gjetën në një varrezë masive në Serbi.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se parashtruan kërkesë në Gjykatën Themelore për lëshimin e fletarresteve.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë.
Ky grupi i personave, nga 7 maji i vitit 1999 e deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor e më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”. Në fund, sipas Gjykatës Themelore, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Për të gjithë të pandehurit ndaj të cilëve u lëshua fletarrest, autoritetet e Kosovës nuk ua dinë adresën. Ndërkaq, në mesin e tyre është Llazar Drashkoviç, ndaj të cilit ka një urdhërarrest aktiv ndërkombëtar lidhur me masakrën e Mejës.
Radoiçiç kërkohet nga autoritetet e Kosovës edhe për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës e gjerësisht besohet se gjendet i lirë në Serbi. Kosova e cilëson këtë sulm si “terrorist” dhe akuzon Serbinë se ka gisht në të. Beogradi mohon çdo përfshirje.