Art & Kulturë Travel

Muzetë e historisë më të mirë në botë!

Nga Londra e Berlini deri në Kajro e Meksiko, disa prej muzeve më të famshëm të historisë në botë ruajnë thesare që kanë formuar qytetërime dhe epoka të tëra. Ata janë destinacione ku historia merr jetë përmes objekteve që kanë ndryshuar botën, nga gurët e parë me mbishkrime e deri te armët e revolucionit.

Muzeu Britanik në Londër është një nga më të vizituarit në botë, me mbi gjashtë milionë vizitorë çdo vit. I themeluar në vitin 1753, ky institucion përfshin mbi tetë milionë objekte nga çdo kontinent, duke i dhënë vizitorëve një udhëtim përmes mijëvjeçarëve të historisë njerëzore.

Në sallat e tij ndodhen monumente ikonike si Guri i Rozetës, skulpturat e Partenonit dhe thesaret e Sutton Hoo.

Në Berlin, Muzeu Pergamon është një kryevepër arkitekturore që transporton vizitorët në qytetërimet e lashta të Babilonisë, Greqisë dhe Romës.

I hapur në vitin 1930, ai njihet për rindërtimet madhështore të portës së Ishtarit, Altarit të Pergamonit dhe Portës së Miletit, vepra që i japin ndjesinë e hyrjes në një qytet të lashtë. Aktualisht, po kalon në një fazë rinovimi të gjerë që pritet ta bëjë edhe më spektakolar deri në vitin 2027.

Në Egjipt, Muzeu i Madh Egjiptian në Giza, i vendosur pranë piramidave, është muzeu më i madh arkeologjik në botë. Pritet të hapet zyrtarisht në nëntor 2025, me ekspozitën më të plotë të artefakteve faraonike të mbledhura deri më sot.

Për herë të parë, të gjithë 5 mijë objektet e varrit të Tutankhamunit do të ekspozohen së bashku, përfshirë maskën e tij të artë dhe statujat kolosale të Ramsesit II.

Në Stamboll, Muzeu i Pallatit Topkapi ofron një udhëtim në jetën perandorake osmane. Ish-rezidenca e sulltanëve për gati katër shekuj, sot është një nga asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore turke. Në koleksion spikasin dhoma e relikeve të shenjta, hanxhari i famshëm i Topkapisë dhe apartamentet luksoze të haremit.

Ndërkohë, në Meksikë, Muzeu Kombëtar i Antropologjisë është një homazh ndaj qytetërimeve të mëdha para-kolumbiane, si ajo azteke dhe maja.

Me strukturë moderniste dhe oborrin qendror të njohur për “ombrellën” monumentale që mban ujin në ajër, ai ruan objekte ikonike si Guri i Diellit Aztek dhe thesaret e qytetërimeve të humbura të Mesoamerikës.

Lista vazhdon me muze të jashtëzakonshëm në të gjitha kontinentet:

British Museum – Londër, Mbretëria e Bashkuar

Pergamon Museum – Berlin, Gjermani

Grand Egyptian Museum – Giza, Egjipt

Topkapi Palace Museum – Stamboll, Turqi

National Museum of Anthropology – Meksiko City, Meksikë

Acropolis Museum – Athinë, Greqi

Museum of Qin Terracotta Warriors and Horses – Xi’an, Kinë

National Museum of Korea – Seul, Kore e Jugut

Apartheid Museum – Johanesburg, Afrikë e Jugut

Imperial War Museums – Londër, Mbretëria e Bashkuar

Smithsonian National Museum of African American History and Culture – Washington D.C., SHBA

National Museum of India – Nju Delhi, Indi