Italia jugore po përballet me mot të keq, çka solli edhe mbylljen e shkollave e ndërprerje të konsiderueshme të qarkullimit. Mediat italiane bëjnë të ditur se në rajonin e Basilicatës, ku alarmi për mot të keq është në nivelin portokalli, katër bashkitë e zonës së Materës, Montalbano Jonico, Pisticci, Policoro dhe Tursi, urdhëruan mbylljen e institucioneve arsimore për shkak të reshjeve të dendura e përmbytjeve në disa nënkalime, sidomos në zonën fushore të Metapontinos.
Situata është e ngjashme edhe në Pulja e Kalabri, ku paralajmërimi për mot të keq mbetet portokalli. Në Taranto, shkollat janë mbyllur me urdhër të kryebashkiakut Pietro Bitetti, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për të përballuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme dhe erërat e forta.
Zjarrfikësit e Leçes kanë kryer dhjetëra operacione shpëtimi dhe pastrimi, pasi stuhia ka shkaktuar rrëzim pemësh, shembje shtyllash telefonike, dëmtime të linjave të energjisë, bllokime trafiku e ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Bari, autoritetet vendore kanë urdhëruar mbylljen e varrezave të qytetit, si dhe të parqeve e të kopshteve publike, për të shmangur rrezikun nga era e fortë dhe reshjet e dendura. Autoritetet rajonale u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme e të ndjekin njoftimet e emergjencës, ndërsa moti pritet të mbetet i paqëndrueshëm edhe në orët në vijim.