Zv.sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin e sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë e nënvizoi në një postim në X, pas një takimi me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi. Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës:
Mezi pres të bashkëpunojmë ngushtësisht.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve. Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50 mijë trupa, por pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër ka rënë në rreth 4 mijë e 600 ushtarë.
Prania e trupave në Kosovë rritet sa herë që situata tensionohet, ashtu si pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023. Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s. Në mes të muajit mars, shefi i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se “dialogu mes Kosovës e Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura”.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmirëson stabilitetin dhe sigurinë në mbarë rajonin.
Rreth një javë më vonë, Prishtinën e vizitoi i dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili u ndal edhe në Beograd. Në të dyja vendet theksoi se përparësi është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se bashkë me Sorensenin do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë funksional. Bisedime të nivelit të lartë Kosovë-Serbi nuk ka prej shtatorit 2023 kur Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm europianë, Josep Borrell e Mirosllav Lajçak.
Dhjetë ditë pas atij takimi ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh vranë një polic të Kosovës. Vitet e fundit, qeveria Kurti është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarë të BE-së dhe amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara e me ndikim të keq te komuniteti serb.