Kinemaja amerikane në zi. Aktori Jerry Adler mbylli sytë në moshën 96 vjeçare në Nju Jork. Ishte i njohur për rolin e Herman “Hesh” Rabkin në serialin kult “The Sopranos”. Filloi të aktronte rregullisht në televizion dhe në filma vetëm në fund të viteve ’60. Familja njoftoi ndarjen e tij nga jeta në një nekrologji online.
Roli kult i Adlerit hyri në imagjinatën kolektive midis viteve 1999 dhe 2007, kur luajti këshilltarin dhe mikun e besuar të shefit të krimit Tony Soprano (James Gandolfini) në serialin fitues çmimesh të HBO-së. Personazhi i tij, një ish-producent muzikor hebre me lidhje me familjen e krimit ishte ndër më të respektuarit në rrethin e Tony-t, i aftë të lundronte me inteligjencë në dy botë: atë të kulturës hebraike dhe atë të mafias italo-amerikane. Me sarkazmën therëse dhe qetësinë mashtruese, Adler ndihmoi në sjelljen e thellësisë njerëzore dhe historike në një univers të dominuar nga dhuna dhe paqartësia morale.
I lindur në Brooklyn, Nju Jork, më 4 shkurt 1929, në një familje hebreje, Adler e filloi karrierën në vitin 1951 si asistent menaxher skene, duke punuar prapa skenave në disa nga prodhimet më të famshme të Broadway-t. Ishte menaxher skene për debutimin origjinal të “My Fair Lady” (1956), me protagonistë Julie Andrews të re dhe Rex Harrison, si dhe për shumë shfaqje të tjera. Bashkëpunoi me disa nga emrat më të mëdhenj në teatër e film, nga Harold Pinter te Arthur Miller, nga Orson Welles te Marlene Dietrich e me Katharine Hepburn, me të cilën ndau një nga anekdotat më të famshme të karrierës së tij, kur ajo ndaloi një kantier ndërtimi që të mos shqetësohej gjatë një numri muzikor.
Pavarësisht se ishte i rrethuar nga aktorë që në moshë të re, Jerry Adler nuk doli në skenë si interpretues deri në moshën 60 vjeç. Shfaqja e tij e parë televizive ishte në vitin 1991, por që atëherë karriera i mori hov. Përveç serialeve “The Sopranos” ishte një figurë e përsëritur në serialet “Rescue Me” (si shefi i zjarrfikësve Sidney Feinberg), “The Good Wife” (si avokati i bezdisshëm Howard Lyman), “The Doctor”, “Mad About You”, “Transparent”, “Mad About You” dhe “Broad City”.
Adler lë pas gruan e tij, Joan Laxman, një psikologe, me të cilën është i martuar që nga viti 1994.