Bota Botë e Çuditshme

Ndodh çudia në Teksas/ Lirohet gabimisht i burgosuri, autoritetet në këmbë për kapjen e tij!

Policia në Teksas ka nisur kërkimin për Troy Dugas, i cili gabimisht u lirua nga burgu edhe pse duhej të vuante një dënim 5-vjeçar. Troy Dugas, 36 vjeç, u lirua “gabimisht nga burgu të dielën” pasdite, tha Zyra e Sherifit të Qarkut Harris të hënën në një njoftim për shtyp që përfshinte edhe foton e tij.

Sipas zyrës së sherifit, Dugas duhej të fillonte vuajtjen e dënimit pesëvjeçar për sulm ndaj një anëtari të familjes, plus një dënim shtesë dyvjeçar për shmangie të arrestimit. Të dyja incidentet për të cilat u dënua kanë ndodhur në qarqe afër Houstonit. Autoritetet shpjeguan se Dugas ishte në burgun e qarkut Harris që nga 14 gushti për akuza të tjera lokale, të cilat më pas u hodhën poshtë, duke çuar në lirimin e tij.

“Do të kryhet një hetim i thellë për të përcaktuar rrethanat që çuan në lirimin e gabuar të Dugasit nga burgu”, thuhet në njoftim.

“Indikacionet paraprake tregojnë se stafi i burgut nuk dokumentoi siç duhet dënimin shtetëror në dosjen e tij, gjë që çoi në supozimin e gabuar se Dugas plotësonte kushtet për lirimin pasi akuzat e qarkut Harris kundër tij u hodhën poshtë.”

Zyra e sherifit nuk ka dhënë ende përgjigje për kërkesat për informacione shtesë. Ata kanë publikuar përshkrimin e Dugasit: është 185 cm i gjatë, peshon 97 kg dhe ka një tatuazh në qafë. Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut që nëse e shohin apo kanë informacion për vendndodhjen e tij, të telefonojnë menjëherë numrin emergjent 911.