Tashmë është zyrtare, Victoria Beckham është ikona e modës në kuptimin e plotë të fjalës.
Stilistja e famshme pritet të marrë vlerësimin “Fashion Icon” në “People’s Choice Awards”, një çmim që jepet për herë të parë në këtë ceremoni dhe që po për herë të parë, i jepet 44-vjeçares.
“E News” e bëri të ditur këtë lajm mbrëmjen e kaluar ndërsa Victoria është shprehur shumë e emocionuar pasi ky vit ishte i mbushur me suksese për markën e saj.
Në 10 vjetorin e markës së Beckham, koleksioni më i ri i stilistes bëri debutimin e parë në Javën e Modës në Londër një hap vërtetë i rëndësishëm ndërsa këtë fundvit, ajo do të rrëmbejë edhe çmimin e saj të parë mëse të merituar.
“People’s Choice Awards” do të mbahet më 11 nëntor ndërkohë që kandidaturat për çmimet e tjera do të bëhen publike në ditët në vijim.