Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm. Vlerësohet se 1% e popullatës globale është autike. Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.
Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas.

Presidenti Ilir Meta, në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin pritt sot një grup fëmijësh me spektër autizmi, të cilët çelën edhe një ekspozitë. Në lidhje me këtë ai u shpreh:
Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, një grup fëmijësh të mrekullueshëm me spektër autizmi, sollën në një ditë me shi, diellin dhe ngjyrat në Institucionin e Presidentit, nëpërmjet një ekspozite të veçantë me punime të tyre. Çdo fëmijë është unik për prindërit e tij dhe të gjithë prindërit janë krenarë për fëmijët e tyre. Ndaj duhet të përpiqemi çdo ditë për t’u krijuar të gjitha kushtet fëmijëve me aftësi ndryshe të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ju garantuar një arsim dhe mirë edukim cilësor, si dhe rritur mirëkuptimin dhe pranimin e tyre në shoqëri. Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane, për dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë.
