Bota

Në këtë shtet mund të shkoni në burg nëse ngadalësoni automjetet në korsinë e majtë të një autostrade!

Një ligj i ri, që tani është në fuqi në Luiziana, mund ta bëjë shtetin amerikan një nga vendet më të mira për të drejtuar në autostradë. Ata që qëndrojnë në korsinë e majtë, edhe nëse janë vetëm 1 milje nën limitin e shpejtësisë, mund të përballen me burgim. Duke filluar nga 1 gushti, Akti 24 u bë ligj në shtet dhe parashikon dënime më të ashpra për shoferët që ngasin ngadalë në korsinë e majtë. Ata që kapen duke ngarë nën limitin e shpejtësisë ligjore, do të përballen me një gjobë prej 150 dollarësh për shkeljen e parë. Gjoba është 250 dollarë për shkeljen e dytë.

Ata që kapen tre ose më shumë herë brenda një periudhe 12-mujore do të përballen me një gjobë prej 350 dollarësh ose me burgim. Shoferët që ngadalësojnë trafikun në autostradë mund të përballen me deri në 30 ditë burg nëse e kryejnë shkeljen shumë herë. Jo të gjithë në Luiziana pajtohen me ligjin. “Nuk mendoj se na duhet një arsye tjetër për të ndaluar njerëzit dhe për t’u shkruar gjoba”-tha përfaqësuesi Mike Bayham i Chalmette. Ky nuk është i vetmi ligj i ri që shoferët e Luizianës duhet të jenë të vetëdijshëm.

Një ligj i veçantë tani vendos përgjegjësi të konsiderueshme financiare për shoferët e pasiguruar, duke kërkuar që ata të mbulojnë personalisht deri në 100,000 dollarë dëmshpërblim, edhe nëse nuk e kanë shkaktuar aksidentin, por thjesht kanë qenë të përfshirë në të. Qëllimi është të dekurajohen shoferët që të dalin në rrugë pa sigurim dhe të mbrohen shoferët e siguruar nga detyrimi, për të paguar për dëmet e njerëzve të tjerë pas një aksidenti.

Ata që dënohen për ikje nga vendi i ngjarjes së një aksidenti tani do të përballen me një dënim minimal të detyrueshëm me burg. Limiti ligjor për errësimin e xhamave është ulur nga 40 përqind në 25 përqind të transmetimit të dritës, gjë që është në përputhje me rregulloret në shtetet fqinje, Arkansas dhe Teksas. Gjithashtu, përdorimi i telefonave në një automjet është i ndaluar përveç nëse është në modalitetin pa duar.