Auto & Moto Botë e Çuditshme

Po vjen makina e parë TikTok…

Rrjeti social TikTok ka “çmendur” të rinjtë në mbarë botën, ndërsa tani kompania që qëndron pas këtij fenomeni global po hyn në industrinë e automobilave. Dhe ku tjetër? Një makinë e re elektrike e lidhur me pronarin e TikTok-ut, kompaninë ByteDance, pritet të lançohet në Kinë këtë vit. Makina do të prodhohet në bashkëpunim me prodhuesin Seres, i cili po zhvillon një markë krejtësisht të re automjetesh së bashku me platformën e inteligjencës artificiale të ByteDance, “Volcano Engine”.

Pritet që modeli i parë të jetë një crossover, një përzierje mes SUV-it dhe sedanit. Prodhimi do të realizohet në fabrikën e Seres në Chongqing. Ideja është që teknologjia e ByteDance të jetë në qendër të projektit. Platforma e inteligjencës artificiale e kompanisë do të funksionojë si “truri digjital” i makinës dhe do t’i ofrojë shoferit qasje në komandim të avancuar me zë, personalizim të cilësimeve dhe funksione të tjera të AI-së drejtpërdrejt në kabinë.

Për realizimin e kësaj nisme është krijuar një kompani e re me emrin Saidou. Pritet që modeli i parë të prezantohet para fundit të vitit dhe të ketë një version elektrik si dhe një version me zgjatues autonomie (range extender). Bota po e pret me padurim atë që tashmë po quhet “makina e TikTok-ut”.

Ndërkaq, platforma TikTok po shënon rritje të jashtëzakonshme në përdorim, duke u kthyer në rrjetin social më të preferuar për gjeneratën e re. Sipas statistikave të fundit, përdoruesit e moshës 16–24 vjeç kalojnë mesatarisht mbi 3 orë në ditë në këtë platformë, duke e vendosur atë në krye të listës për kohëzgjatjen e përdorimit.

Një nga faktorët kryesorë që po ndikon në këtë sukses është formati i videove të shkurtra, i cili krijon një përvojë të shpejtë dhe shumë tërheqëse. Algoritmi i personalizuar i TikTok arrin të sugjerojë përmbajtje që përputhet ngushtë me interesat e përdoruesve, duke rritur ndjeshëm kohën e qëndrimit në aplikacion.