Aktualitet

Nesër mbledhja e shkarkimit të Veliajt, Këshilli Bashkiak i çon letër kryebashkiakut të Tiranës!

Këshilli Bashkiak i Tiranës iu drejtua me një letër kryebashkiakut Erion Veliaj një ditë para mbledhjes ku do të diskutohet lidhur me shkarkimin e tij. Letra vjen pasi Veliaj, i cili prej 10 shkurtit mbahet në qeli, i kërkoi Këshillit Bashkiak që të dëgjohej para se të merret vendimi.

Këshilli i shkruan se “në rast të pamundësisë për të marrë pjesë në mbledhje, të gjitha pretendimet e tij mund t’i dërgojë me shkrim”.

Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje, thuhet në letrën dërguar Veliajt.

Drejtoria e Burgjeve është institucioni që me autorizim të SPAK-ut, jep lejen e posaçme. Por mësohet se në Drejtorinë e Burgjeve, ende nuk ka një kërkesë nga ekipi ligjor i Veliajt.

Edhe PD-ja kërkoi që në sallë të dëgjohet Erion Veliaj.

Fillimisht, mblidhet Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë lidhur me shkarkimin e kryebashkiakut. Mbledhja që duhej të mbahej sot, u shty për nesër ora 10:00 ndërsa pritet që të futet në rend dite kërkesa për shkarkimin e Veliajt. Po nesër, më 16:00 mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet lidhur me shkarkimin e Veliajt.

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS-së, më 11 shtator, duke u mbështetur në shkeljen e Nenit 62, Gërma C e Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” e që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.

Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Lidhur me shkarkimin vendos qeveria.

Por, vendimi i ekzekutivit për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh dhe në këtë rast, vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.