Bota

Shkarkohet kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan!

Anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale votuan për shkarkimin e Karim Khan-it nga posti i kryeprokurorit, për shkak të dyshimeve për sjellje të papërshtatshme.

Avokati britanik u pezullua muajin e kaluar, ndërsa vendimi për shkarkimin u miratua me 82 vota pro nga 125 vende anëtare të gjykatës.

Muajin e kaluar, organi mbikëqyrës i institucionit zbuloi se ai kreu shkelje të rëndë të detyrës, ndërsa dyshohet për sjellje të pahijshme duke u përfshirë në një marrëdhënie intime të papërshtatshme me një anëtare të stafit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Khan i mohon akuzat, duke insistuar se nuk ka kryer asnjë shkelje. Avokati i tij tha se do të sfidojë ligjshmërinë dhe drejtësinë e vendimit përmes të gjithë mekanizmave ligjorë në dispozicion.

Karim Khan drejtonte Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që nga viti 2021 dhe u bë një nga figurat më të njohura të drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht pas vendimit për të kërkuar masa ndaj liderëve të përfshirë në konflikte ndërkombëtare, përfshirë  kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.

Largimi i tij nga posti i prokurorit vjen në një moment të ndjeshëm për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, teksa po trajton disa nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë botërore.