Netflix ka ndaluar promovimin e aktores transgjinore të nominuar për Oscar, Karla Sofía Gascón, pas daljes në pah të disa postimeve të vjetra nga llogaria e saj X, të cilat kanë ngjallur kritika të mëdha.
Gascón, e cila ka bërë historinë si gruaja e parë transgjinore e nominuar për çmimin Oscar për aktoren më të mirë, është përballur me akuza pas postimeve që përfshinin komente islamofobike, kritika ndaj ceremonive të kaluar të Oscars dhe një referencë negative për George Floyd, i cili u vra nga një oficer policie në Minneapolis.
Si pasojë e këtyre postimeve, Netflix ka hequr Gascón nga materialet promovuese të filmit dhe ka vendosur të modifikojë posterat për të dhënë më shumë rëndësi aktorëve të tjerë ose për t’i shfaqur ata vetëm.
Gjithashtu, ata nuk do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimeve të Gascón për promovimin e filmit. Filmi “Emilia Pérez”, i cili përshkruan historinë e një mbreti karteli meksikan, të transformuar në grua, ka marrë 13 nominime për Oscar.
Pavarësisht nga kjo situatë, Gascón ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga gara për Oscar.
Ajo ka thënë në një intervistë se është ndjerë e gjykuar dhe dënuar pa mundësinë për t’u mbrojtur, por ka theksuar se nuk ka kryer asnjë krim dhe nuk është racist, siç është përpjekur të paraqitet nga disa persona.
Filmi ka tërhequr kritika edhe për përzgjedhjen e pak aktorëve meksikanë dhe për mënyrën e paraqitjes së luftërave të karteleve në Meksikë nga regjisorët.