Kate Winslet mund të jetë surpriza më e madhe e sezonit të dytë të serialit fenomen “Adolescence”.
Sipas Daily Mail, fituesja e çmimit Oscar është pranë bashkimit me kastin e hitit të Netflix dhe pritet të marrë rolin kryesor në një histori krejtësisht të re. Edhe pse projekti ndodhet ende në zhvillim, burime pranë produksionit thonë se puna ka avancuar shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
Po ndodh dhe është në zhvillim. Ka shumë entuziazëm që Kate është pjesë e tij
-ka deklaruar një burim për median britanike.
Prej muajsh qarkullonin zëra se “Adolescence” mund të rikthehej me një sezon të dytë. Në janar, gjatë ceremonisë së Golden Globe, aktori dhe producenti ekzekutiv Stephen Graham zbuloi se ai dhe skenaristi Jack Thorne po diskutonin idetë për vazhdimin, duke lënë të kuptohej se projekti mund të realizohej pas tre ose katër vitesh.
Megjithatë, zhvillimet e fundit sugjerojnë se puna ka marrë ritëm dhe seriali mund të rikthehet shumë më shpejt.
Sezoni i parë u shndërrua në një fenomen global, duke rrëfyer historinë tronditëse të një djali 13-vjeçar të akuzuar për vrasjen e një bashkëmoshatareje. Seriali u vlerësua nga kritika ndërkombëtare, fitoi çmime të shumta dhe grumbulloi mbi 145 milionë shikime në Netflix, duke u bërë një nga prodhimet më të suksesshme të platformës.
Stephen Graham dhe Jack Thorne kanë konfirmuar më herët se historia e personazhit Jamie ka përfunduar dhe nuk do të vazhdojë në sezonin e ri.
Në vend të kësaj, krijuesit pritet të sjellin një rrëfim krejtësisht të ri, duke ruajtur stilin realist dhe intensitetin emocional që e bëri serialin një sukses të jashtëzakonshëm.
Për momentin, as Kate Winslet dhe as Netflix nuk kanë konfirmuar zyrtarisht raportimet, por nëse marrëveshja finalizohet, rikthimi i aktores në një serial televiziv pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të ekranit në vitet e ardhshme.