Celebrities Just Business - News Magazine

Nga Auto Manoku te Global Woman, historia e Majlinda Manoku që ndërtoi suksesin me vizionin e saj!

Majlinda Manoku ishte e ftuar në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkollin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit historinë frymëzuese të rrugëtimit të saj në sipërmarrje dhe angazhimit në platformën Global Woman. Gjatë intervistës, ajo foli për përvojën e saj si themeluese e “Auto Manoku”, një biznes që ka sfiduar stereotipet e një industrie tradicionalisht të dominuar nga meshkujt dhe ka arritur të krijojë një standard të lartë profesionalizmi dhe inovacioni. Ajo theksoi se përtej suksesit në biznes, përkushtimi ndaj familjes ka qenë motor i motivimit dhe forcës së saj të brendshme.

Në përmbledhje të karrierës së saj online dhe ndërkombëtarisht, Majlinda ka marrë pjesë aktive në evente si Global Woman Summit 2022, ku shërbeu si mentor dhe frymëzim për gratë sipërmarrëse, duke ndarë eksperiencën e saj të suksesit dhe menaxhimit të një biznesi teknik. Stil krijues dhe inovativ, përdor teknologjinë në shërbim të biznesit dhe beson në fuqinë e rrjeteve ndër-gratë për të ndërtuar një mjedis mbështetës. Integriteti i saj, kombinimi i mentalitetit të fortë biznesi me ndjenjshmërinë personale, e pozicionon si një prej modeleve të suksesshme të sipërmarrjes femërore në Shqipëri.

Si nisi biznesi i saj “Auto Manoku”?

Në fillim ishte si një kuriozitet, që më vonë u kthye në pasion dhe ky pasion u thellua më tepër gjatë viteve. Kur fillon një gjë me pasion, pasioni sa vjen edhe rritet. Kjo ka ndodhur edhe me ne që nga viti në vit ne jemi rritur dhe jemi bërë ky biznes që jemi sot. Fillimet tona kanë qenë në Lushnje, që para 27 viteve. E imagjinon që nuk ishin këto teknologji, këto avancime? Por ne prapë ne arritëm që t’ja dilnim dhe t’i përballonim të gjitha sfidat që na u dhanë që nga fillimet tona.

Paralelisht me biznesin, ajo është shprehur gjithashtu për rëndësinë që familja ka në jetën e saj. Majlinda u shpreh si më poshtë:

Jam një njeri që beson tek parimet dhe tek familja sepse e di që aty fillon suksesi.

Çfarë mësimi ka marrë ajo si grua në këtë industri?

Me durim dhe me besim në vetvete mund të arrish çdo gjë.

Pikërisht këto këshilla, që ka marrë gjatë menaxhimit të biznesit të saj, ajo i ka aplikuar edhe duke u bërë pjesë e një rrjeti shumë të madh dedikuar grave, siç është Global Woman.

Unë kam katër vite që jam në këtë platformë dhe nuk jam ndarë asnjëherë sepse pikërisht aty kam gjetur atë ngrohtësinë dhe mbështetjen. Jemi në të njëjtën kategori. Shumica biznes domethënë, edhe kam krijuar shumë shoqëri që është shumë e rëndësishme. Vazhdoj të jem pjesë me shumë kënaqësi dhe presim edhe samitin e ardhshëm gjatë javës që vjen në Londër.