Votuesit ndëshkuan partitë në pushtet në mbarë botën gjatë vitit 2024. Dhe duket se po bëjnë të njëjtën gjë edhe tani, thotë një analizë e Politico.
Sipas saj, të njëjtët votues që larguan pa mëshirë qeveritë në të dy anët e Atlantikut – duke rrëzuar konservatorët britanikë pas 14 vitesh në pushtet dhe duke i dhënë një goditje të fortë demokratëve në SHBA – tani duket se janë gati t’u shkaktojnë humbje të rënda pikërisht liderëve që zgjodhën vetëm dy vjet më parë.
Kryeministri britanik Keir Starmer përballet me mundësinë e largimit nga posti më vonë këtë vit nëse një rival kyç në Mançester arrin të fitojë një votim të posaçëm parlamentar javën e ardhshme. Ndërsa presidenti Donald Trump, edhe pse do të qëndrojë në detyrë deri në janar 2029, po përballet me rrezikun e humbjes së ndikimit politik, ndërsa demokratët po shfaqen gjithnjë e më optimistë për zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, veçanërisht për rikthimin e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Dhe sipas sondazhit të POLITICO, dëshira e votuesve perëndimorë për të ndëshkuar klasën politike nuk është zbehur.
Duke u bazuar në punën e mëparshme të kompanisë britanike Public First, e cila realizon sondazhin, një analizë e re e rezultateve të majit tregon se një pjesë e madhe e votuesve në Britani dhe SHBA shfaqin cinizëm të thellë ndaj politikës dhe një dëshirë të vazhdueshme për ndryshime radikale. Kjo sugjeron se forcat që qëndrojnë pas revoltës elektorale vazhdojnë të jenë të forta dhe se ndryshimi i pushtetit mund të mos mjaftojë për t’i qetësuar ato.
Në SHBA, 71% e të rriturve thonë se politikanët kujdesen vetëm për interesat e tyre. Këtë mendim e ndajnë 79% e votuesve të Kamala Harris dhe 71% e atyre që votuan për Trump. Në Britani, votuesit janë po aq të zemëruar me politikanët, të cilët i fajësojnë për dështimin në zgjidhjen e problemeve si kostoja e jetesës dhe emigracioni.
Rezultatet e reja të sondazhit tregojnë se 56% e britanikëve mendojnë se problemi më i madh i politikës janë vetë politikanët që nuk bëjnë gjënë e duhur, ndërsa vetëm 15% fajësojnë sistemin.
Ky pakënaqësi e thellë është kthyer vitet e fundit në një revoltë të vazhdueshme kundër atyre që janë në pushtet. Në Gjermani, Partia Socialdemokrate e kancelarit Olaf Scholz regjistroi rezultatin më të dobët në disa dekada, ndërsa Justin Trudeau në Kanada u largua mes pakënaqësisë në rritje të votuesve.
Vetëm që nga shkurti i vitit të kaluar, qeveritë në Gjermani, Hungari, Holandë dhe Çeki janë rrëzuar në zgjedhje të rëndësishme.
Tani vëmendja është te votimi në Makerfield javën e ardhshme, i cili mund të përcaktojë nëse Starmer do të arrijë të mbajë postin mes zemërimit publik për mënyrën si ka menaxhuar pasojat e skandalit Epstein, si dhe shqetësimeve për emigracionin, ekonominë dhe rendin publik.
Nëse Andy Burnham, kryetari i Bashkisë së Greater Manchester, zgjidhet sërish deputet, kjo mund të nisë një seri zhvillimesh që do të përfundonin me largimin e Starmer nga drejtimi i Partisë Laburiste dhe nga posti i kryeministrit.
Rezultati mund të ketë pasoja edhe në SHBA, ku republikanët po përballen me sfida politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit.
“Ajo që po shohim është një shkëputje mes votuesve dhe të zgjedhurve në të dy anët e Atlantikut”, tha Kevin Madden, strateg republikan i komunikimit në Uashington. Sot votuesit amerikanë janë të përqendruar te problemet e përditshme si ushqimi, kujdesi shëndetësor dhe kostot e banimit. Kur titujt kryesorë dominohen nga konfliktet ndërkombëtare dhe tronditjet e tregjeve globale, kjo vetëm sa e thellon këtë shkëputje”, tha ai.
Cinizmi i thellë në Britani, problem për Starmer
Në vitin 2024, ndëshkimi i qeverive erdhi si pasojë e zemërimit për koston e jetesës dhe pasiguritë ekonomike. Tani lind pyetja nëse ky reagim ishte i përkohshëm apo pasqyron një pakënaqësi të rrënjosur ndaj institucioneve politike.
Analiza e Public First tregon një zhgënjim të thellë politik në Britani. Kompania krijoi disa tregues për të matur ndjenjën anti-politikë dhe cinizmi doli në pah: votues që besojnë se politikanët punojnë për interesat e tyre, se fjalët nuk shoqërohen me veprime dhe se qytetarët kanë pak ndikim real.
Pothuajse gjysma e britanikëve, 45%, rezultojnë me nivel të lartë cinizmi. Në SHBA kjo shifër është 37%.
Rezultatet tregojnë edhe sfidën që ka përpara Starmer. Sipas sondazhit të fundit të POLITICO, 64% e britanikëve nuk besojnë se ai do të mbetet kryeministër deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Lideri i qendrës së majtë ka pësuar rënien më të madhe të popullaritetit të regjistruar ndonjëherë për një kryeministër britanik. Vetëm dy vjet pas fitores së thellë në zgjedhje, Partia Laburiste ka rënë në nivele historikisht të ulëta në sondazhe, ndërsa partia nacionaliste e djathtë Reform UK e Nigel Farage ka kaluar në krye të sondazheve dhe zgjedhjeve lokale.
Tre të katërtat e votuesve britanikë me nivel të lartë cinizmi kanë një opinion negativ për Starmer, shumë më tepër se mesatarja kombëtare.
Zgjedhjet e pjesshme në Makerfield më 18 qershor do të përcaktojnë nëse Burnham do të rikthehet në Parlament, duke fituar mundësinë të sfidojë Starmer për drejtimin e Partisë Laburiste dhe potencialisht ta zëvendësojë si kryeministër.
Rivali kryesor i Burnham është kandidati i Reform UK. Një fitore e kësaj partie do t’i jepte fund ambicieve të Burnham dhe do ta zhyste Partinë Laburiste në një krizë të paprecedentë.
Por Makerfield pritet të jetë problematik për Starmer pavarësisht fituesit. Nëse fiton Burnham, ai do të shkojë në Londër për të sfiduar kryeministrin. Nëse fiton Reform UK, do të forcohet bindja se Starmer ka dëmtuar partinë e tij përtej riparimit.
Pse Trump duhet të jetë i vëmendshëm?
Sipas analizës së Public First, kjo është edhe një histori paralajmëruese për Donald Trump.
Ndërsa popullariteti i Starmer po bie, edhe shifrat e Trump kanë pësuar rënie, ndërsa grupi i amerikanëve më cinikë mund të përbëjë një rrezik të ngjashëm për presidentin.
Mes këtij grupi, 57% kanë një opinion negativ për Trump dhe axhendën e tij, krahasuar me 48% në nivel kombëtar.
Kjo mund të krijojë probleme për republikanët në zgjedhjet e mesmandatit. Historikisht, këto zgjedhje kanë ndëshkuar partinë në pushtet dhe shumë republikanë po përgatiten për një betejë më të vështirë se sa pritej, të nxitur nga shqetësimet ekonomike dhe lufta jo popullore në Iran.
“Ndryshimi më i madh i humorit po ndodh te votuesit e mesit”, tha Madden.
“Këta janë të njëjtët votues që u afruan me Trump dhe republikanët në vitin 2024 sepse kishin nostalgji për ekonominë gjatë mandatit të tij dhe u bashkuan rreth mesazhit për luftën kundër inflacionit.”
Një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve cinikë kanë pikëpamje negative për ekonominë. Mes tyre, 52% thonë se gjendja e tyre financiare është përkeqësuar që kur Trump mori detyrën në vitin 2025, ndërsa 59% besojnë se ai ka shpenzuar shumë kohë me çështjet ndërkombëtare në vend që të fokusohej te problemet e brendshme.
Trump, i cili erdhi në pushtet në vitin 2024 kryesisht falë pakënaqësisë së votuesve me ekonominë gjatë administratës Biden, tani po përballet me të njëjtin problem. Sondazhet e fundit tregojnë se gjithnjë e më shumë votues e konsiderojnë atë përgjegjës për vështirësitë e tyre financiare.
Një pjesë e problemit për qeveritë është se shumë njerëz fajësojnë politikanët dhe jo sistemin për pakënaqësinë e tyre. Në Britani, 45% e të rriturve thonë se vendi vazhdon të ndryshojë kryeministra “sepse asnjëri prej tyre nuk është i zoti”, ndërsa vetëm 26% besojnë se problemi qëndron te sfidat e mëdha që as një kryeministër i mirë nuk mund t’i zgjidhë.
Sapo liderët zgjidhen nga një elektorat i zhgënjyer për të ndryshuar situatën – siç ndodhi me Starmer dhe Trump në vitin 2024 – ora fillon të ecë kundër tyre.
“Zgjedhjet po bëhen gjithnjë e më shumë një garë për të parë se cili kandidat arrin të kanalizojë frustrimet e një elektorati cinik”, tha Seb Wride, drejtues i sondazheve në Public First.
“Si republikanët ashtu edhe demokratët duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh në Britani. Është shumë më e vështirë të fitosh mbështetjen e votuesve anti-politikë kur ti vetë përfaqëson politikën. Dhe duke parë sa shpejt Britania po ndryshon kryeministrat, duket se votuesit cinikë po bëhen më të shumtë dhe më pak të duruar.”/Politico