Gossip

Nga skena në burg? Wiz Khalifa rrezikon 9 muaj heqje lirie në Rumani?

Reperi i njohur amerikan Wiz Khalifa po përballet me një situatë serioze ligjore në Rumani, ku autoritetet kanë ashpërsuar ndjeshëm masën ndaj tij për posedim të marijuanës. Artistit i kanoset një dënim prej nëntë muajsh burg, megjithëse çështja ende nuk konsiderohet e mbyllur përfundimisht.

Sipas mediave ndërkombëtare, më 18 dhjetor, Gjykata e Apelit e Konstancës pranoi ankesën e paraqitur nga DIICOT, prokuroria rumune për krimin e organizuar dhe terrorizmin, duke rrëzuar pjesërisht vendimin fillestar.

Ndërsa në fazën e parë Wiz Khalifa ishte dënuar vetëm me një gjobë prej 3,000 lei (rreth 700 dollarë), gjykata vendosi ta zëvendësojë atë me një dënim prej nëntë muajsh heqje lirie.

Megjithatë, ekipi ligjor i reperit ka reaguar menjëherë, duke nisur procedurat e apelimit. Avokatët e tij synojnë që dënimi me burg të zëvendësohet me një masë alternative, duke argumentuar se bëhet fjalë për posedim të një sasie të vogël dhe për rrethana që nuk përbëjnë rrezik serioz shoqëror.

Ngjarja që çoi në këtë përballje ligjore ndodhi në korrik 2024, gjatë festivalit “Beach Please!” në Costinesti.

Gjatë performancës live, Wiz Khalifa ndezi një cigare me marijuanë në skenë, ndërsa interpretonte nën ritmet e hitit legjendar “The Next Episode” të Dr. Dre dhe Snoop Dogg.

Veprimi u filmua dhe u vu re nga autoritetet, të cilat ndërhynë menjëherë pas përfundimit të koncertit. Reperi u arrestua për një kohë të shkurtër dhe më pas u lirua, por ndaj tij u hap procedurë penale që tani ka marrë një kthesë shumë më të ashpër.

Procesi ligjor vazhdon, ndërsa fansat presin të shohin nëse ylli i hip-hop-it do t’i shpëtojë burgut apo do të përballet me pasojat më të rënda të ligjit rumun.