Sot ka filluar Muaji i Ramazanit dhe për 30 ditë, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, si një nga 5 shtyllat e Islamit. Muaji i Ramazanit është një periudhë 30-ditore ku myslimanët në gjithë botën agjërojnë dhe qëndrojnë për më shumë se 16 orë pa ngrënë dhe pa pirë gjatë ditës.
Gjatë Ramazanit nuk lejohet të konsumosh asgjë, deri në perëndim të diellit. Në orarin ku mbyllet agjërimi ditor, familjet ulen së bashku për të ngrënë. Ramazani konsiderohet si periudhë reflektimi ku trupi dhe shpirti pastrohen nga negativiteti. Çdo vit për Ramazan, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë duke u solidarizuar me të varfrit për të ndarë ushqimin me ta.
Gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave. Myslimanët duhet të luten sa herë që munden gjatë Ramazanit, si dhe të lexojnë librin e shenjtë, Kuranin. Në 10 ditët e fundit të agjërimit është “Nata e Kadrit” e cila konsiderohet si dita kur Profetit Muhamed iu dha Kurani, Libri i Shenjtë.
Agjërimi nuk mund të mbahet nga të gjithë, pasi ka disa përjashtime. Të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe të sëmurët mendorë janë të përjashtuar nga agjërimi. Gjithashtu nëse gruaja është në ditët e menstruacioneve duhet të shtyejë ditët e agjërimit. Simbol i rëndësishëm në këtë muaj është edhe dhënia e sadakasë, vlerë monetare e cila i jepet një personi në nevojë. Bazuar në rregullat e islamit, ata që nuk munden të agjërojnë duhet të ushqejnë një të varfër ose nevojtar të paktën një herë në ditë.
Kreu i Komitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, uron besimtarët për fillimin e këtij muaji të bekuar, ndërsa shkruan se “Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd. Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve”.
Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit. Rama ka publikuar foto nga xhamia e re e Elbasanit. Ai uron muaj me agjërim të pranuar dhe lehtësim të bekuar “prej ndjesisë së të pasurit të Allahut pranë në krah”. Ndërsa foto në mesazhin e Presidentit Meta është xhamia “Iljaz bej Mirahori”, Korçë, monument i trashëgimisë kulturore.