I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Tani me muajin e shenjtë të Ramazanit, ai na ka njohur me përfitimet në shpirt dhe në mendje të agjërimit, disa rituale dhe ka ndarë këshillat e tij për të gjithë ata që agjërojnë për herë të parë…
Dikush që do të agjërojë dhe nuk di të bëjë lutje në gjuhën e fesë islame apo në iftar nuk ka mundësi të shkojë në xhami, a mund ta bëjë në këtë formë?
Është një ngjarje unike që i përgjigjet kësaj pyetje. Një person shkon tek profeti Muhamed dhe i thotë: ‘O i dërguar i Zotit, unë kur të dëgjoj ty në artikulimin që ti ke, ti ke artikulim shumë të rafinuar, fjalët i ke shumë të zgjedhura. Ndërsa unë nuk i përmbush dot.’ Profeti i thotë: ‘Çfarë i thua ti?’ Unë i them: ‘O Zot më ruaj nga Ferri, më fut në Parajsë me njerëzit e mirë.’ Profeti i tha kështu: ‘Edhe unë rreth kësaj sillem, thjesht zbukuroj fjalët, këtu jam dhe unë.’ Pra e mira është të thuhen fjalët, sepse kjo tregon një vetëdije për çfarë i thua, emocionet mund të jenë shumë të forta, por është e rëndësishme të thuhen saktë dhe fjala e shpreh, e artikulon, e bën ta dëgjosh edhe ti. Por nuk e përjashton atë njeri që nuk artikulon dot. Zoti kupton dhe heshtjen dhe kështu thuhet: ‘Unë kuptoj atë që thoni dhe atë që e lini pa thënë dhe mënyrën si e lini pa thënë.’ Pra njeriu të gjejë mënyrën e tij të lutjes, qoftë edhe në heshtje. Sepse ne nuk mund ta quajmë të pavëmendshëm Zotin nëpër heshtjen tënde. E dyta, agjërimi është i plotësuar nëse njeriu zgjedh vetëm këtë formë, qëndron në shtëpi, kryen agjërimin, bën lutjet e veta, agjërimi është i plotësuar, por ne po themi të jetë i plotë. Pra nuk e prish agjërimin, agjërimi është i rregullt. Por e plota e agjërimit është që njeriu zgjedh të shkojë dhe në xhami, sepse xhamia ka kënaqësinë e vet, emocionin e vet, ndan përvojë me njerëzit e vet, bëhet më social, shtron iftar dhe me njerëz në nevojë, shikon dhe njerëz të tjerë. Ramazani është një mundësi që ne të dalim në shoqëri, takohemi me njerëz të ndryshëm. Ndoshta mund t’i zgjidhim dhe ndonjë hall dikujt, por ndoshta mund të na zgjidhë dhe hall dikush. Mund të mësojmë diçka të bukur, mund të takojmë njerëz që nuk i kemi takuar kurrë. Ka gjëra përtej atij aspektit të rregullave dhe ligjeve që ka. Por me agjërimin je në rregull, nëse kryen vetëm këto agjërimi është në rregull dhe pranues tek Zoti.