Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka përcjellë urimet për besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste pas përfundimit të muajit të Ramazanit.
Në mesazhin e saj publik, ambasada uroi një festë të bekuar për të gjithë ata që e festojnë këtë ditë, duke e përcjellë urimin si në shqip ashtu edhe në gjermanisht. “Urojmë të gjithë muslimanet dhe muslimanët një festë të bekuar të përfundimit të agjërimit, një Fitër Bajram të bekuar”, thuhet në mesazh, ndërsa i njëjti urim është përsëritur edhe në gjuhën gjermane për komunitetin ndërkombëtar.
Ndërkohë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët që e festojnë këtë ditë.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka shpërndarë Mesazhin Presidencial për këtë festë, duke uruar paqe dhe mirësi për komunitetin mysliman.
“Ne përcjellim urimet tona më të ngrohta për një Fitër Bajram të bekuar të gjithë atyre që festojnë”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe festohet nga besimtarët myslimanë në mbarë botën.