Macet dhe qentë në Korenë e Jugut do t’u nënshtrohen testit të koronavirusit nëse manifestojnë simptoma si temperaturë apo probleme me frymëmarrjen. Gjithashtu kafshët shtëpiake do të kryejnë testin anti-COVID edhe nëse kanë qenë në kontakt me një person të infektuar.
Vendimi është marrë nga autoritetet shëndetësore në Seul, pas rastit të prekjes së një maceje të infektuar nga pronarja e saj. Çdo qen apo mace që rezulton pozitiv do të karantinohet për 14 ditë dhe do të marrë trajtimin e duhur sipas protokolleve në fuqi.
Koreja e Jugut raportoi rastin e saj të parë të një infeksioni kafshësh me COVID-19, kur një mace doli pozitive në 21 janar, sipas Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Vendit.