Nisi sot procesi i vaksinimit të gazetarëve dhe operatorëve të terrenit me vaksinën Sinovac. Vaksinimi do të vijojë çdo ditë në sheshin “Skënderbej”. Kryeministri Rama foli për vaksinën kineze Sinovac dhe garantoi se ajo është super e suksesshme.
Dua ta përsërish që të mos bjerë askush viktimë e hienave dhe e kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë kineze Sinovac është një vaksinë super e suksesshme e cila faktikisht Turqinë e nxjerr përditë e më shpejt nga tuneli i pandemisë. Është vaksina që kanë preferuar nga vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe të gjitha kurorat mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë e cila bëhet në shumë shtete dhe fakti që nuk ka hyrë në BE, nuk ka lidhje me efiçencën e vaksinës por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër që ne nuk na interesojnë dhe nuk na prekin pasi ne na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar dhe të nxjerrim sa më shpejt nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi dhe pasigurie gjyshërit e gjyshet, ata me sëmundje kronike, grupet e riskut dhe të gjithë popullsinë
Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhanë lajmin e nisjes së procesit të vaksinimit për gazetarët dhe efektivët e policisë nga Berati ku po ndiqnin procesin e vaksinimit të të moshuarve.
Nga nesër përgatitemi sepse fillon vaksinimi e efektivëve të policëve dhe gjithashtu të gazetarëve të terrenit nga sot. Po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar pasi edhe këto dy grupe të riskuara. Sot mbërrihet në shifrën e mbi 100 mijë vaksinimeve vetëm te mosha e mbi 70 vjeçarëve.Shqipëria është sot në ditën e 6 të fillimit të procesit të vaksinimit masiv. Deri tani janë kryer 155.463 vaksinime në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme u bënë 16.617 vaksinime
Qeveria shqiptare ka siguruar deri më tani vaksinat Pfizer, AstraZeneca, rusen Sputnik dhe kinezen Sinovac. Autoritetet kanë bërë me dije se objektivi është që brenda majit të jenë vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë