Sport

Një 16-vjeçar nxjerr Tiranën nga “zona e ftohtë”, fitore minimale ndaj Skënderbeut në Elbasan

Tirana ka mundur Skënderbeun me rezultatin 1-0 në “Elbasan Arena”. Bardheblutë fituan 3 pikë jetike për mbijetesën kundër korçarëve të vendit të fundit.

Fitorja erdhi nga stoli ku kryeqytetasit ishin plot mungesa për shkak të lojtarëve të pezulluar dhe dënuar. Ishte minuta e 82-të, kur Serxho Vogli vetëm 16-vjeç fitoi penalltinë.

Gjyqtari Klodian Prenga tregoi nga pika e bardhë. Më pas e mori përsipër Bajroviç, që e ktheu në gol. Dyshja Vogli-Bajroviç u treguan vendimtarë, ndërsa bardheblutë tashmë janë jashtë zonës së ftohtë.

Tirana mban vendin e shtatë me 26 pikë. Në anën tjetër Skënderbeu mbetet në kuotën e 20 pikëve, pas 25 javëve të luajtura.

NDRYSHIMET NE RENDITJE

Java e 25-të e Kategorisë Superiore ka dekretuar tashmë shkëputjen e parë “serioze” të Egnatias në kreun e renditjes, por sidomos ka ndryshuar pozitat e ekipeve që gjenden në zonën e ftohtë të klasifikimit.

Fitorja e Laçit sot ndaj Teutës, ka theksuar edhe një herë formën e kurbinasve, të cilët vazhdojnë ngjitjen dhe aktualisht shohin veten në të njëjtën kuotë pikësh me Elbasanin, një prej klubeve që ka bërë investimet më të mëdha në këtë sezon.

Ndërkohë, fundoset Teuta e cila kthehet në zonën e ftohtë të klasifikimit, duke lënë pas vetes vetëm Skënderbeun e vendit të fundit, i cili humbi “finalen” ndaj Tiranës. Bardheblutë janë fitimtarët e vërtetë të kësaj jave, pasi më në fund e shohin veten përsëri jashtë zonës së ftohtë, një shtysë e rëndësishme morali për ta.