Sport

Nojer për Botërorin e Klubeve: Ka shumë skuadra të tjera të mëdha që…

Aventura e Kupës së Botës për Klube për Bajernin do të fillojë të dielën. Në ndeshjen e parë të turneut që do të luhet në SHBA mes datave 14 qershor dhe 13 korrik, kampionët rekordmenë gjermanë përballen me ekipin autsajder Auckland City (Okland Siti) nga Zelanda e Re.

Ekipi nga Mynihu ende nuk e di plotësisht se çfarë të presë kundër ekipit nga ana tjetër e botës. Kapiteni i Bajernit, Manuel Nojer foli për përgatitjen për ndeshjen. “Ekipi ynë i analizës do të na përgatisë për të. Do të shqyrtojmë nga afër se çfarë bënë kundërshtarët tanë sezonin e kaluar dhe si luajtën. Prandaj, përgatitja do të jetë si çdo ndeshje konkurruese, ndoshta pak më e gjatë, sepse nuk i njohim ekipet aq mirë”, komentoi portieri i kampionëve të Gjermanisë.

Nojer gjithsesi e bëri të qartë se cili është objektivi i Bajernit në këtë sfidë hapëse për ta në Kupën e Botës për Klube. Portieri vazhdoi: “Është gjithmonë shumë e rëndësishme të fitosh ndeshjen e parë në një turne si ky. Duam të kemi një nisje të mirë”. Portieri i Bajernit ka folur dhe për përgatitjet këto ditë të para në SHBA, ku dhe temperaturat kanë qenë shumë të larta dhe me shumë gjasa do të ndikojnë në paraqitjen e skuadrave.

“Përjashto temperaturat që kanë qenë vërtet të larta, gjithçka tjetër është shumë mirë. Kushtet janë optimale dhe po përgatitemi mjaft mirë për të nisur këtë turne”, deklaroi numri një i portës së kampionëve gjermane. Nojer komentoi dhe turneun në përgjithësi. “Në fakt, është një turne i veçantë nga të tjerët. Do të kemi rastin të përballemi me rivalë që zakonisht nuk përballemi zakonisht. Do të jetë një eksperiencë e veçantë. Ka shumë klube të tjera që mungojnë, ndërsa ne jemi këtu për ta shijuar këtë turne”, tha Nojer.