Bota

Rebelët Huthi pretendojnë se e kanë sulmuar Arabinë Saudite!

Rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, pretenduan se sot kryen sulm raketor ndaj Arabisë Saudite, disa orë pasi u zotuan se do të kundërpërgjigjeshin për bombardimet saudite ndaj shënjestrave në Jemen, një ditë më parë.

Media e rebelëve Huthi, Ansarollah deklaroi:

Një sulm jemenas ajror shkaktoi zjarre në Jizan, në jug të Arabisë Saudite, teksa Riadi lëshoi dhe më pas tërhoqi paralajmërime për mbrojtje civile për qytetet Jizan e Janub.

Përshkallëzimi vjen pas sulmeve saudite të djeshme, ndaj objekteve ushtarake të rebelëve Huthi në Hodeida, përfshirë sulme ndaj bazës detare Ras al-Kathib, një kampi ushtarak në ishullin Kamaran dhe një objekti telekomunikimi në afërsi të një porti.

Mediat e lidhura me rebelët Huthi njoftuan se dy civilë u plagosën. Riadi tha se ka goditur objektiva që përbënin kërcënim për lundrimin tregtar.

Më 20 korrik, rebelët Huthi paralajmëruan se do të sulmonin anijet “që i përkasin armikut saudit” nëse shpërfillte bllokadën.

Më herët gjatë kësaj jave, pretenduan se kishin sulmuar dy anije saudite. Dje, Arabia Saudite konfirmoi se anija NCC MASA, kishte pësuar dëmtime të lehta, por vijoi lundrimin.

Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për furnizimet me naftë, pasi Arabia Saudite po mbështetet gjithnjë e më shumë në rrugët e eksportit përmes Detit të Kuq, teksa lufta me Iranin ka penguar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Shkëmbimi i fundit i sulmeve rrit po ashtu mundësinë e rifillimit të luftimeve ndërkufitare mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi, duke rrezikuar armëpushimin de facto, që është respektuar në masë të madhe që nga skadimi, në tetor të vitit 2022.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, është mes rebelëve Huthi dhe qeverisë së Jemenit, të njohur ndërkombëtarisht.

Arabia Saudite e ka mbështetur qeverinë e Jemenit kundër rebelëve Huthi që kur udhëhoqi një ndërhyrje ushtarake në vitin 2015, megjithëse përplasjet ndërkufitare janë reduktuar në masë të madhe vitet e fundit.