Bota

OBSH: 50% e evropianëve do të infektohen me Omicron në dy muajt e ardhshëm!

Më shumë se gjysma e njerëzve në Evropë, pritet të infektohen me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, në dy muajt e ardhshëm.

Kështu të paktën pretendon Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila thotë se nëse infektimet do të jenë me këto ritme, gjasat janë që të ndodhë ky parashikim.

“Me këtë ritëm, Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) parashikon se më shumë se 50 për qind e popullsisë në Evropë do të infektohet me Omicron në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme”, tha në një konferencë Hans Kluge, drejtor rajonal për zyrën evropiane të OBSH-së.

Kujtojmë që ky variant i virusit është bërë dominant në Evropë. Vende si Italia, Franca, Greqia dhe Britania e Madhe po regjistrojnë rekorde infektimesh dhe viktimash. Në këto kushte, autoritet e këtyre vendeve kanë marrë masa për frenimin e përhapjes.

Një ndër to, është vaksinimi i detyrueshëm, vendosja e maskave, si dhe puna në shtëpi në ato institucione që e kanë lehtësisht të bëshme këtë gjë.

Ndërkaq kompania amerikane, Pfizer, është duke zhvilluar një vaksinë me kompaninë partnere nga Gjermania, BioNTech, për të kombinuar vaksinën aktuale kundër koronavirusit me një formulë tjetër, që do të shënjestrojë variantin Omicron të këtij virusi.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka thënë më 10 janar se formula e re e vaksinës, që do të shënjestrojë Omicronin, do të jetë gati për të fituar miratimin e rregullatorëve amerikanë në muajin mars.

Duke komentuar edhe deklaratat e ekspertëve tjerë, Bourla ka thënë se vaksinat kundër koronavirusit mund të kthehen në doza të përvitshme, të ngjashme me ato të gripit stinor.